Romë – Ministri i Brendshëm italian, Angelino Alfano takoi sot në Pallatin Viminale homologun e tij shqiptar Saimir Tahiri.

Në qendër të takimit ishin çështjet e sigurisë dhe bashkëpunimit në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, si dhe çështja e emigracionit, duke iu referuar në mënyrë të veçantë skenarit ballkanik e adriatik. Lidhur me këtë, u analizuan perspektivat e një përforcimi të bashkëpunimit mes dy qeverive për të përballuar çështjen e parandalimit të fenomenit migrator e menaxhimit të tij, në rast të ardhjes së fluksit të të huajve drejt Adriatikut.

Për këtë qëllim u ra dakord të rritet shkëmbimi i informacioneve në kohë reale, të përforcohet bashkëpunimi operativ, me pjesëmarrjen shqiptare në patrullimin detar në kuadër të “Triton” dhe mbështetjen nga pala italiane për ngritjen e qendrave të pritjes dhe identifikimit të emigrantëve në territorin shqiptar.

Tahiri - Alfano 3

Ministri i Punëve të Brendshme Tahiri konfirmoi vullnetin e qeverisë shqiptare për të vendosur mekanizmat e menjëhershëm dhe të frytshëm të bashkëpunimit në kuadër të parandalimit dhe menaxhimit të fluksit të emigrantëve.

Gjatë takimit, dy ministrat ranë dakord që sfidat e pamata që burojnë nga emigracioni i paligjshëm kërkojnë një impenjim dhe përgjegjësi të përbashkët të vendeve të origjinës, të tranzitit dhe të destinacionit, me synim përballimin dhe menaxhimin me efikasitet të të gjithë aspekteve humanitare dhe të sigurisë që lidhen me këtë fenomen kompleks.

Ata kanë theksuar mirëkuptimin mes Italisë e Shqipërisë për të përforcuar  bashkëpunimin në sektorin e sigurisë dhe të luftës kundër terrorizimit; për administrimin e kufijve dhe të emigracionit, në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të emigrantëve, si dhe për të rritur aftësinë e forcave policore të të dy vendeve për këtë qëllim.

Kanë nënvizuar gjithashtu që një kontroll efikas i kufijve kontribuon për të parandaluar emigrimin e paligjshëm dhe tragjeditë njerëzore që mund të vijnë si pasojë. Si dhe kanë ritheksuar impenjimin maksimal për të parandaluar rrugëtimet e rrezikshme të emigrantëve që rrezikojnë rëndë jetën e tyre, dhe për më tepër, për të promuovuar dhe respektuar të drejtat njerëzore në zbatimin e bashkëpunimit dypalësh, në përputhje me normat e të drejtës ndërkombëtare.

Në përfundim, palët vendosën:

Përforcimin e nivelit të bashkëpunimit dhe asistencës teknike dhe trajnuese, edhe përmes furnizimit të mjeteve dhe aparaturave të përdorura në aktivitetin e kontrollit dhe mbikëqyrjes së kufirit, për t’u vënë në zbatim menjëherë në ditët në vijim;

Finalizimin e shpejtë të projektit të Memorandumit të Bashkëpunimit që synon të promovojë dhe përforcojë bashkëpunimin e ndërsjelltë operativ mes forcave policore të Palëve Kontraktuese në sektorin e sigurisë, të parandalimit të terrorizmit, në sektorin e kufijve dhe emigrimit, luftës kundër emigrimit të paligjshëm dhe trafikut të emigrantëve.

Tv Klan