Prej se është vendosur taksa 100 % për produktet serbe dhe ato të Bosnje Hercegovinës ka rënë dukshëm importi i produkteve nga këto dy vende. Sipas zëdhënësit të doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, importi i produkteve nga këto dy vende ka rënë deri në 99%.

Nga 1.2 deri në 1. 4 milionë euro importe nga Serbia dhe Bosnja, tani ato kanë rënë nga 7-8 mijë euro një mesatare në ditë. Ndërkohë është rritur importi i produkteve nga Shqipëria.

“Përveç në vitin 2018, edhe në vitin 2019 ka vazhduar me një fluks i importit nga Shqipëria. Në vitin 2018 rritja në krahasim me periudhën paraprake ishte rreth 40% të produkteve shqiptare të eksportuara në Kosovë. Këtë vit kemi një fillim shumë të mirë. Kemi pas 22% të produkeve të importuara nga Shqipëria”.

Pronarët e marketeve të mëdha në Kosovë, ndonëse jo para kamerave, thonë se ato produkte serbe dhe boshnjake që janë harxhuar në stok nuk janë zëvendësuar më.

“Ato produkte të huaja, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje Hercegovine janë shtrenjtuar pas taksës 100% të vendosur nga qeveria e Kosovës. Psh pashteta argeta është produkt slloven, i cili prodhohet në Bosnje Hercegovinë, nga 65 cent sa ka qenë më parë ky produkt, tani është 1 euro e 15 cent”.

Qytetarët kanë filluar t’i zëvendësojnë produktet serbe me produkte të tjera.

Qeveria e Kosovës ka vënë taksë 100% ndaj produkteve serbe dhe të Bosnje Hercegovinës, si dhe produkteve të huaja që prodhohen në këto dy vende, në Nëntor të vitit të kaluar.

Tv Klan