Gjigandi i i makinave elektrike, Tesla ka ulur sërish çmimet e saj në një numër tregjesh kryesore duke përfshirë këtu SHBA-në, Kinën dhe Gjermaninë, ndërsa kompania e drejtuar nga multi-miliarderi Elon Musk përballet me rënie të shitjeve, sipas BBC.

Ndërkohë kjo lëvizje vjen pasi u raportua një rënie e madhe në dërgesat globale të automjeteve në tre muajt e parë të këtij viti. Një luftë çmimesh është intensifikuar midis prodhuesve të automjeteve elektrike (EV), me konkurrencë të ashpër që vjen nga firmat kineze.

Tesla do të raportojë rezultatet financiare për tremujorin e parë të vitit 2024 pas mbylljes së tregut amerikan të martën. Në një postim në platformën e mediave sociale X, dikur Twitter, Musk tha se “çmimet e Tesla duhet të ndryshojnë shpesh në mënyrë që të përputhet me prodhimin dhe kërkesën”.

Ulje të çmimit ka pasur gjithashtu edhe në shumë vende të tjera në Evropë, Lindjen e Mesme dhe Afrikë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Kompania shkaktoi një luftë çmimesh të EV-ve më shumë se një vit më parë kur uli në mënyrë agresive çmimet në kurriz të marzheve të fitimit. Firma ka qenë e ngadaltë për të rifreskuar modelet e saj të vjetra, ndërsa rivalët në Kinë, si BYD dhe Nio, kanë nxjerrë modele më të lira. Prodhuesi kinez i smartfonëve Xiaomi gjithashtu lançoi EV-në e parë muajin e kaluar.

Javën e kaluar, Tesla njoftoi planet për të pushuar nga puna më shumë se 10% të fuqisë punëtore globale. Të premten, firma tërhoqi mijëra Cybertrucks të rinj për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Kjo është për shkak se pedalet e tyre të gazit aktualisht rrezikojnë të bllokohen nga dekorimi i brendshëm, duke rritur mundësinë e përplasjeve.

Ndërkohë aksionet e Tesla kanë rënë me më shumë se 40% që nga fillimi i këtij viti./tvklan.al