Dhoma e Përfaqësuesve në Kongresin amerikan ka kaluar një projektligj që mund të çojë në heqjen e TikTok-ut në të gjithë dyqanet e aplikacioneve në SHBA nëse gjigandi teknologjik kinez ByteDance nuk shet aksionet e veta në platformë brenda gjashtë muajve.

Ky projektligj do t’i shkojë tashmë Senatit, gjë për të cilën është e paqartë se si do të votojnë anëtarët e saj. Presidenti Joe Biden ka thënë se do ta dekretojë ligjin nëse kalon në Senat.

Çfarë do të thotë kjo?

BBC shkruan se ky vendim i sotëm i hap rrugën një ndalimi kombëtar të TikTok-ut në SHBA. Votimi në Dhomën e Përfaqësuesve është vetëm hapi i parë. Hapi i dytë është dhoma tjetër e Capitol-it, Senati, ku do të shqyrtohet nga senatorët amerikanë. Disa prej tyre mund të kenë qasje të ndryshme nga ata në Dhomën e Përfaqësimit. Drejtuesi i shumicës së demokratëve në Senat, Chuck Schumer, nuk ka treguar publikisht se si ata planifikojnë që të vazhdojnë në të ardhmen për këtë çështje.

Projektligji për TikTok-un kishte emrin Ligji për Mbrojtjen e Amerikanëve nga Aplikacionet e Kontrolluara nga Kundërshtarët e Huaj. Pro saj votuan 352 Përfaqësues duke kaluar 2/3 e anëtarëve të kësaj Dhome.

Si do të ndalohet TikTok-u?

Rruga më e mundshme për të zbatuar këtë vendim do të ishte që dyqanet e aplikacioneve, ato që operohen nga Apple (AppStore) dhe Google (PlayStore) të heqin TikTok-un nga platformat e tyre.

Kjo do të thotë që njerëzit nuk do të kenë më mundësi që të shkarkojnë aplikacionin, por ata që e kanë ndërkohë në celular do të vijojnë ta kenë aplikacionin.

Me kalimin e kohës, aplikacioni nuk do të marrë dot përditësimet e duhura, çka do të shkaktojë keqfunksionime tek përdoruesit.

Thirrje Senatit që ta miratojnë projektligjin

Republikani i Wisconsin, Mike Gallagher, i cili është edhe një nga mbështetësit e projektligjit tha se shpreson që Senati “ta ketë marrë mesazhin” dhe ta kalojë projektligjin.

“Kemi një dritare mundësie këtu”, tha ai, duke shtuar se beson se senatorët “duken të qetë me tekstin”.Por gjithçka bëhet më e vështirë kur ke zgjedhje”, shtoi ai.

Megjithatë ai shtoi se nëse rizgjidhet, Donald Trump mund të ketë një mundësi për të përmbushur marrëveshjen e shekullit.

Reagimet në SHBA

Reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të përziera. Në platformën “X” u publikuan meme ku pretendohej se Facebook, Instagram dhe Twitter janë duke festuar prej këtij lajmi.

Kjo i bën jehonë idesë së shprehur nga republikanët, ndër ta edhe Donald Trump, të cilët kanë frikë se ndalimi i TikTok-ut do të fuqizojë Meta-n, pra kompaninë mëmë të Facebook-ut dhe Instagram-it.

Disa ligjvënës u thanë ndjekësve të tyre se projektligji nuk ndalon TikTok-un, por kërkon të heqë ndikimin e Partisë Komuniste kineze në të.

Një zëdhënës i TikTok u kërkoi senatorëve të dëgjojnë votuesit para se të ndërmarrin ndonjë veprim.

“Ky proces ishte sekret dhe projektligji u bllokua për një arsye: Është ndalim. Shpresojmë që Senati të konsiderojë faktet, të dëgjojë votuesit dhe të kuptojë impaktin që ka në ekonomi, 7 milionë bizneset e vogla dhe 170 milionë amerikanët që përdorin shërbimin tonë”, u shpreh ai.

Ndërkohë disa “krijues” të TikTok-ut u mblodhën para Shtëpisë së Bardhë ku kërkuan që TikTok-u të qëndrojë. 

Interesi për të blerë TikTok-un

Në botën e biznesit ky projektligj mund të rezultojë përfitues për kompani të mëdha. Në SHBA ka shumë blerës të interesuar nëse vjen puna që ByteDance t’i ndalohet mundësia që të dalë në dyqanet e aplikacioneve.

Se çfarë marrëveshje arrihet, kjo është një enigmë tjetër që do të marrë zgjedhje kur t’i vijë koha.

“Të gjitha kompanitë e mëdha të rrjeteve sociale mund të jenë të interesuara, por unë mendoj se do të përballen me shumë pengesa”, tha analistja Jasmine Enberg.

Në vitin 2020, kur administrata Trump urdhëroi shitjen e disa aksioneve, kompanitë ndër më të mëdha vlerësuan ofertat duke e vlerësuar TikTok rreth 50 miliardë Dollarë. Sot shtrirja dhe të ardhurat nga reklamat e TikToki-ut janë rritur ndjeshëm. Emarketer, një kompani për studime, vlerëson se TikTok do të sjellë rreth 8.66 miliardë Dollarë të ardhura nga reklamat në SHBA këtë vit.

Frika nga TikTok-u

Ata që votuan pro projektligjit sot janë të idesë që ky aplikacion kërcënon sigurinë kombëtare të SHBA-së. Shqetësimet bazohen kryesisht në idenë se kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance, mund të detyrohet nga qeveria kineze që të dorëzojë të dhëna për përdoruesit e huaj.

ByteDance është e regjistruar në Ishujt Kajman, por ka zyra në Europë, SHBA dhe Pekin. Ata kanë thënë se të dhënat mblidhen dhe ruhen jashtë Kinës dhe se nuk i ka ndarë kurrë të dhënat e përdoruesve të SHBA-së me autoritetet kineze. Po ashtu ka deklaruar se nuk do të dorëzojë të dhëna nëse i kërkohet.

Por frika, që ka ngjashmëri edhe me atë të gjigandit teknologjik Huawei dhe rolin në rrjetet e komunikimit kanë ngritur kokën herë pas here dhe kanë nxitur këto përpjekje legjislative në SHBA.

Reagimi i Kinës

“Kompanitë e huaja janë të mirëpritura në tregun kinez me produktet dhe shërbimet e tyre për aq kohë sa zbatojnë ligjet dhe rregullat kineze. Kushdo që bëhet President i SHBA-së, shpresojmë që të zbatojë parimet e respektit reciprok, bashkëjetesës paqësore dhe bashkëpunimit të favorshëm si dhe të punojë me Kinën në të njëjtin drejtim për të rritur në mënyrë të qëndrueshme dhe të shëndosha marrëdhëniet Kinë-SHBA”.

Kjo ishte një deklaratë e Ministrisë së Jashtme të Kinës pas votimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Më herët Kina ka paralajmëruar se ndalimi i propozuar mund të kthehet në një “kafshim” për vetë SHBA-në. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin akuzoi SHBA-në për shtypjen e TikTok pavarësisht faktit se asnjëherë nuk ka gjetur prova që ky aplikacion i kërcënon sigurinë kombëtare.

Ndalime edhe në Europë

Një vit më parë, Komisioni Europian i urdhëroi anëtarët e stafit që ta heqin aplikacionin TikTok nga celularët. Këtë vendimi e kanë argumentuar si masë për të mbrojtur të dhënat dhe për të rritur sigurinë kibernetike (Lexo më shumë).

Hapa të ngjashme kanë marrë edhe qeveri dhe zyrtarë në Europë me frikën se të dhënat mund të aksesohen nga Pekini.

Po në Shqipëri çfarë ndodh?

Pasi Brukseli mori hapin për të ndaluar përdorimin e rrjetit social nga administrata, një propozim i tillë u bë edhe në vendin tonë. Ishte Taulant Balla, sot ministër i Brendshëm, asokohe kryetar i grupit parlamentar të PS-së, që propozoi diçka të tillë (Lexo më shumë).

“TikTok është një rrezik për sigurinë në hapësirën tonë euroatlantike. Është me shumë rëndësi dhe këtu ka nevojë për një qasje bipartizane edhe në Kuvendin e Shqipërisë”, tha ai.

Shkroi BBC

Përshtati në shqip Gramoz Pisha, Tvklan.al