Kryebashkiaku Erion Veliaj dhe ministrja e Turizmit Kumbaro, pritën në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Turizmit Zurab Pololikashvili, në vijim të mbledhjes së 70-të të kësaj organizate. Veliaj dha idenë për krijimin e një akademie ekselence të Turizmit duke marr shkas nga fluksi turistik i jashtëzakonshëm.

Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë Tiranë: Kemi një lajm të mirë për një ide të cilën sapo e kemi ngjizur, për të pasur një akademi ekselence të turizmit. Ne kemi sot një bum të jashtëzakonshëm dhe duhet që ta përballojmë këtë. Se ndryshe do të kemi sfida të tjera. Ne duhet të përgatitemi se si t’i drejtorët ekzekutivë të hoteleve me 5 yje dhe resorteve, të jenë staf shqiptar, edhe pse jemi shumë të hapur për të gjithë ata të huaj që po punojnë sot në Shqipëri. Por, ka ardhur koha që rajoni të bashkëpunojë si për Kolegjin e Europës, për stafet që do të na çojnë drejt Bashkimit Europian, sot do të bashkëpunojmë për stafet e ekselencës që do të menaxhojë gjithë biznesin e turizmit.

Zurab Pololikashvili u shpreh se ky event i shërben jo vetëm Tiranës, por të gjithë rajonit.

Zurab Pololikashvil, Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Turizmit: Jam shumë i lumtur që shoh, në herën time të dytë që vizitoj Tiranën, që ky qytet po ndryshon çdo ditë, Tirana po ndryshon çdo vit, është duke u bërë më e bukur, me ndërtesa dhe ndërtime të reja. Në të njëjtën kohë prezantuam dhe duam të çojmë përpara këtë dokument shumë të rëndësishëm, që konsiston në investimet në Tiranë dhe në Shqipëri.

Takimi i 70-të i Organizatës Botërore të Turizmit mblodhi përfaqësues të sektorit të turizmit nga 40 shtete të Europës në Tiranë.

Klan News