Enea Sulejmani, rrezikoi jetën e policëve  

Ky është Enea Sulejmani, kryetar i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, i cili u plagos gjatë një aksioni të policisë mbrëmjen e së enjtes në rrrugën “Mihal Duri në Tiranë.

Sipas policisë ngjarja ka ndodhur gjatë një operacioni antidrogë. Struktura operacionale ka tentuar të ndalojë një automjet tip “Volkswagen Tiguan” me targë AB 780 MP me ngjyrë të bardhë, por në këtë moment drejtuesi i automjetit Enea Sulejmani nuk i është bindur urdhrave të efektivëve për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë Enea Sulejmani është plagosur.

Ai u dërgua në spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën dhe mësohet se plumbi i ka prekur indet e buta dhe asnjë organ jetësor. 

Në automjet bashkë me të kanë qenë edhe dy persona të tjerë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, të dy u shoqëruan nga policia. Mësohet se antidroga e Tiranës i kishte prej kohësh në ndjekje tre të rinjtë që dyshohet se ishin furnizues të kokainës në zonën e Xhamllikut dhe do shkëmbenin lëndën narkotike në vendin ku u kapën nga agjentët.

Pas hetimeve të saj Agjencia e Mbikëqyrjes Policore bëri të ditur se efektivët e antidrogës nuk kanë kryer shkelje në këtë rast. Sipas AMP-së efektivëve u është kërcënuar jeta pasi mjeti nuk i është bindur urdhërit të policisë dhe drejtuesi i makinës i ka dhënë gaz duke i goditur efektivët, por fatmirësisht pa të lënduar. Efektivi i policisë ka kryer shprepje të armës pa dashje, thotë AMP në njoftimin e saj.

Për ngjarjen reagoi edhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla. “Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit”, tha ai.

Ndërsa paralajmëroi se kushdo që nuk i bindet thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO.

Klan News