Ekspertët: Elon Musk nuk është mbi ligjin, platforma mund të ketë llogari të rreme

Ekzistenca e gjigandit mediatik Twitter është në fije të perit. Komisioni Federal i Tregtisë në SHBA ka deklaruar se shefi i ri ekzekutiv i medias sociale, Elon Musk, “nuk është mbi ligjin”.

Miliarderi mësohet se u ka thënë punonjësve se “falimentimi nuk është jashtë diskutimit për Twitter” nëse kompania nuk fillon së shpejti të gjenerojë më shumë para. Elon Musk filloi të pushonte mijëra punonjës javën e kaluar nga kompania, pasi e bleu për një shumë prej 44 miliardë dollarë.

Shqetësimi tanimë është ngritur se Twitter mund të mbushet me llogari të rreme. Dorëheqjet së fundmi dhe largimet nga kompania mund të rrisin rrezikun e shkeljes së rregullave të privatësisë nga Twitter.

“Ne po ndjekim zhvillimet e fundit në Twitter me shqetësim të thellë. Asnjë shef ekzekutiv apo kompani nuk është mbi ligjin dhe kompanitë duhet të ndjekin dekretet tona”, tha Douglas Farrar, drejtori i marrëdhënieve publike të Komisionit Federal i Tregtisë.

Firma u gjobit me 150 milionë dollarë në maj për shitjen e të dhënave të përdoruesve por tanimë duhej të pajtohej me rregullat e reja. Përveç gjobës, ajo duhej të pajtohej me rregulla të reja dhe të vendoste një program të përforcuar të privatësisë dhe sigurisë.

Që nga marrja e kompanise, Musk ka shkarkuar ish-shefin ekzekutiv Parag Agrawal dhe shefat e reklamave, duke shtuar shqetësimet se Twitter nuk ka mjaftueshëm njerëz në përputhje me rregulloret.

Klan News