Prokurori Besnik Muçi u skualifikua nga gara për Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm për mosplotësim të vjetërsisë 15 vjeçare në radhët e prokurorëve. Ai e konsideroi të padrejtë eliminimin e kadidaturës së tij duke pretenduar se Komisioni i Ligjeve ka keqinterpretuar përcaktimin kushtetues “jo më pak se 15 vite përvojë pune”.

“Unë sot plotësoj 14 vjet, 11 muaj e 15 ditë si prokuror dhe 1 vit e tre muaj si jurist, OPGJ drejtor i drejtorisë kundër krimit ekonoimik financiar në Ministrinë e Brendshme. Në vlerësimin tim unë i plotësoj kushtet e një juristi të spikatur me përvojë 15 vjet punë si jurist, prokuror dhe OPGJ drejtor i drejtorisë kundër krimit ekonomik financiar”.

Muçi sfidoi dy nga anëtarët e Komisionit të Ligjeve, përkatësisht nënkryetaren e Kuvendit, Vasilika Hysi dhe deputetin Adnor Shameti.

“Ku e kanë gjetur kushtin e 15 viteve prokuror? A lexon gjëkundi? Këto janë aktet që rregullojnë këtë procedurë. Me shumë përultësi i lutem dhe ambasadorit amerikan dhe përfaqësuesve të BE-së në Shqipëri t’ju kërkojnë këshilltarëve të tyre juridikë, a i gjejnë ata vjetërsi pune prokuror për të aplikuar për prokuror të përgjithshëm? Nese po, unë kërkoj ndjesë dhe tërhiqem”.

Prokurori Besnik Muçi ushtron funksionin e tij pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda.

/abcnews.al