Bien me 40% çmimet e siguracioneve. Të teta kompanitë e sigurimit kanë ulur nga 19 mijë lekë në 11 mijë çmimin e TPL-ve për automjetet.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan, drejtues të shoqërive të sigurimit shprehen se ndryshimi është momental dhe është bazuar në kërkesë – ofertën e tregut.

Ata sqarojnë se ndryshimet e ndodhura në çmimin e siguracioneve janë reflektuar si pasojë e konkurrencës së ashpër në treg, ku fillimisht disa kompani kanë ulur çmimin e më pas kanë qenë dhe firmat e tjera që ndoqën të njëjtin trend.

Në bazë të rregullores së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë duhet të njoftojnë në autoritet tarifat e reja dhe nëse kjo nuk ndodh, atëherë AMF le në fuqi çmimet e mëparshme. Dy muaj më parë autoriteti i mbikëqyrjes financiare gjobiti shoqëritë për këtë shkak.

I kontaktuar nga TV klan, ky autoritet nuk ka dhënë informacion nëse ndryshimi i çmimit është deklaruar apo jo pranë tij. Minimumi i primit të riskut që AMF ka vendosur për siguracionin e makinave është 14 mijë lekë./ TV KLAN