INSTAT raportoi se në 3-mujorin e tretë 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,3%. Papunësia u ul me 0,3 pikë përqindje, në krahasim me 3-mujorin e tretë të vitit 2020, ashtu dhe me 3-mujorin e dytë të vitit 2021.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,9% dhe për gratë 11,7%. Krahasuar me të njëjtin 3-mujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,5 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,1 pikë përqindje për gratë.

Papunësia ka rënë dhe tek të rinjtë, INSTAT njoftoi se shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 19,9%. Krahasuar me 3-mujorin e tretë të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në 3-mujorin e tretë 2021, është ulur me 0,8 pikë përqindje.

Krahasuar me 3-mujorin e dytë 2021, ky tregues nuk ka ndryshuar.

Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,7%. Gjatë 3-mujorit të tretë të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62,0%. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 10,1% në sektorin e industrisë, me 0,5% në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 4,5% në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 2,4%. Punësimi u rrit me 4,9% në sektorin e industrisë, me 1,3% në sektorin e shërbimeve, dhe 2,3% në sektorin e bujqësisë.

Klan News