Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës është tashmë aeroporti me fluksin më të lartë në rajon, me mbi 2.8 milion pasagjerë vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit 2024. Për drejtorin operacional të TIA-s Piervittorio Farabbi, këto shifra të kënaqshme vijnë edhe fale linjave te reja dhe mundësive që ato ofrojnë për lidhje me vende që më parë nuk arriheshin lehtësisht.

“Falenderoj Iberian dhe British Airways, pasi fluksi i shtuar i pasagjerëve e bën Tiranën aeroportin me fluksin më të lartë në Ballkan pas Sofjes. Linjat e British Airways dhe Iberia kanë sjellë më shumë turistë për të zbuluar Shqipërinë. Rrezja e turistëve ndërkombëtar është rritur me 45% krahasuar me vitin e kaluar. Duam të arrijmë 12 milionë pasagjerë dhe pritshmëritë janë që ky fluks të vijë nga aeroporti. Turizmi po kthehet në element të rëndësishëm të GDP-së së vendit dhe linjat ajrore janë kontributorët kryesorë”, tha Farabbi.

Një prej linjave me prestigjioze në botë, Iberia, iu shtua së fundmi listës së linjave që operojnë në Shqipëri duke e lidhur Tiranën me Madridin tre herë në javë.

“Për momentin me rrugët e reja jemi fokusuar për pasagjerët që do të vijnë në Tiranë për të zbuluar Shqipërinë, por interesi ynë është të vendosim Tiranën në tregun e fluturimeve nga Spanja, Amerika dhe natyrisht Amerika Latine, në mënyrë që të zgjerohemi me të tjera rrugë dhe më shumë vizitorë. Përmes Madridit, tashme udhëtarët nga Shqipëria kanë mundësi të lidhen me të gjitha kontinentet dhe të përfitojnë nga lista e pasur e lidhjeve të Madridit me këto kontinente ku në operojmë”, u shpreh Maria Del Carmen Giraud, menaxhere shitjesh për Europën, Lindjen e Mesme dhe Azinë, Iberia.

Iberia është pjesë e grupit IAG, ku bën pjesë edhe British Airways, e cila është gjithashtu prezente në Shqipëri që prej vitit 2006.

“E kujtoj momentin kur nisëm punën në Shqipëri  në vitin 2016 dhe tregu ishte i etur për t’u rritur dhe për të ndërtuar rrugën tonë me 3 fluturime në ditë. Pandemia na goditi financiarisht, por u rikthyem më të fortë se kurrë dhe vitin e kaluar patëm 306 milionë pasagjerë. Për 5 vitet e ardhshme kërkojmë të investojmë 5 milion paund në 29 avionë të rinj dhe 30 airbuse”, tha Emil Delibashev, menaxher komercial rajonal për British Airways.

Prej rreth një viti Shqipëria po përjeton një “boom” të vërtetë në sektorin e turizmit, ku shifrat e turistëve rriten muaj pas muaji. Pritshmëritë janë që ky sezon të tejkalojë shifrën e 14 milionë vizitorëve.

Tv Klan