Pas Fondit Monetar Ndërkombëtar edhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar USAID, i bën thirrje qeverise shqiptare që të bëjë transparente të gjitha llojet e marrëveshjeve  koncesionare.

Përfaqesuesi USAID tha se partneriteti publik-privat është një mënyrë  e mirë për të ofruar disa shërbime tek publiku, por është shumë e rëndësishme të ketë një studim të mire fizibiliti dhe llogaridhënie për çdo vendim.

Marcus A. Johnson, Përfaqësuesi i USAID-it:

“PPP nuk janë thjesht marrëveshje të bëra mes qeverisë dhe biznesit për të sjellë përfitime. Ata duhet të tregojnë standarte të larta transparence llogaridhënie dhe t’i shërbejnë të mirës publike, kjo është e rëndësishme për të fituar besimin e publikut”

Përfaqëues të qeverisë thane se po punojnë në drejtim të rritjes së transparencës. Një nismë është ndërtimi i regjistrit elektronik të koncesioneve, që do të bëjë transparente për publikun të gjitha kontratat koncesionare.

Sipas një studimi të bërë nga USAID, që nga viti  2000 Shqipëria ka tërhequr rreth 2.45 miliardë dollarë nga investuesit në formën e partneritetit publik-privat.

Në takimin ku merrnin pjesë edhe drejtues të Bashkive, USAID prezantoi disa fushat ku pushteti vendor mund të jetë shumë proaktiv në partneritetin publik-privat, siç janë menaxhimi i plazheve, parkingjet, ndriçimi dhe shpërndarja e ujit.

Tv Klan