Pas disa mediave franceze e italiane, edhe revista e njohur Vanity Fair (VENITI FER) në versionin e saj në italisht, ka zgjedhur të promovojë Shqipërinë si destinacionin e përshtatshëm turistik për këtë vit.

Me titullin: VERA, NË DETIN E SHQIPËRISE, shkrimi përmend të gjitha vendet e bukura, mundësitë e shumta dhe pak të kushtueshme që ofron “toka e shqiponjave” për të pushuar.

“Kudo që mund të shkosh mund të hani mirë dhe të shpenzoni pak. Deti është aq i bukur sa ai i Greqisë, por ju lutemi, mos ua thoni grekëve këtë”, shkruan gazetarja Marta Ghelma.

Njerëzit janë gjithmonë miqësorë dhe të gatshëm në atë mënyrë që, mjaftojnë të shkëmbesh vetëm disa fjalë dhe menjëherë kalon në slloganin e pashmangshëm Itali-Shqipëri “një fytyrë, një racë”, vazhdon me tej shkrimi, i cili u postua në versionin shqip edhe në faqen zyrtare në Facebook të kryeministrit Rama.

Kryeqytetin, Vanity Fair e përshkruan si të rinovuar dhe provokativ, si qytetin ku të krijohet ndjesia se punohet papushim.

Pazarin e ri e krahason me tregun “La Boqueria” (LA BOKERIA) të Barcelonës, por në miniature.

Qytete të tjera që revista fton lexuesit e saj për t’i vizituar BERATI, GJIROKASTRA, dhe qyteti antik i BUTRINTIT.

Për bregdetin, ftesa është për të vizituar në veçanti Rivierën, nga Vlora deri Ksamil, që Vanity Fair e pagëzon si ishullin e ëndrrave. TV KLAN