Konkluzionet e misionit të fundit të FMN lidhur me koncesionet mbi të cilat janë mbështetur shumë projekte të qeverisë, për LSI është një kambanë alarmi për rrezikun që i kanoset ekonomisë së vendit.

Petrit Vasili në një konferencë për shtyp deklaron se konkluzionet e fondit janë në sinkron me qëndrimet që ka mbajtur kjo forcë lidhur me strategjinë ekonomike të qeverisë Rama që është vetëm në mbështetje të oligarkëve.

“Fondi Monetar Ndërkombëtar sot na konfirmoi në mënyrë të qartë dhe të prerë që koncensionet na paraqiten si një rrezik domethënës, dhe veç të tjerave mund të bëjnë që borxhi publik të rritet deri në 7%, gjë që rrëzon tërësisht edhe premtimin në programin e qeverisë për ta zbritur në nivelin 60%, pasi ky ndikim i rëndësishëm prej 7% nuk kalkulohet. Gjithashtu Fondi flet qartë, që edhe praktika, “projekti madhor” prej 1 miliard eurosh, i cili do të bazohet pikërisht te koncensionet është as më shumë dhe as më pak, se sa një lajm i zi për shqiptarët dhe një lajm i bardhë për oligarkët dhe pushtetarët”.

Kryetari i grupit parlamentar të LSI  i kërkon kuvendit të futet në axhendën e diskutimit projekt/ligji i propozuar prej tyre që koncesionet mbi 4 vjet të vendosen nga parlamenti, si e vetmja rrugë për të monitoruar vendimarrjen e qeverisë.

Tv Klan