Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi nuk e ka komentuar paraqitjen e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në SPAK ditën e martë, ku qëndroi rreth 7 orë. Nga Shkodra ku zhvilloi një takim me socialistët në kuadër të anëtarësimeve të reja, Klosi tha se PS ka vendosur që të mos komentojë veprimet e drejtësisë së re, ndërsa shprehur mbështetje për punën e SPAK.

Blendi Klosi: Ne kemi marrë tashmë një vendim për të mos komentuar asnjë veprim të drejtësisë së re. S’kemi asnjë shqetësim për atë që qytetarët duan në fakt në vendin tonë. Të ketë një drejtësi që parim të parë ka ndëshkueshmërinë.

Ndonëse palët politike vijojnë diskutimet në Grupin e Dialogut, Klosi akuzoi opozitën se nuk ka vullnet politik për të finalizuar reformën zgjedhore.

Blendi Klosi: Mungesa e vullnetit nga krahu i opozitës na la në një situatë e cila tashmë i është drejtuar Parlamentit dhe besoj që me 84 vota do ketë vullnetin për të realizuar  disa problematika që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore. Mungesa e opozitës shumë gjatë në atë komision, na bëri të pamundur të gjenim diskutim, negocim dhe vendimmarrje.

Ai thotë se PS ka nisur tashmë punën për të fituar një mandat të katërt në zgjedhje e vitit 2025, duke thënë se synon një fitore me rezultat më të lartë se në vitin 2021.

Blendi Klosi: Jemi një vit nga dita e zgjedhjeve të vitit 2025, shumë pak kohë për një forcë politike që kërkon të marrë mandatin e katërt, një forcë që kërkon të fitojë përsëri ashtu siç fituam në zgjedhjet e fundit lokale kudo në Shqipëri.

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh i kënaqur me anëtarësimet e reja në qarkun e Shkodrës, duke theksuar se synimi është përfshirja sa më shumë e të rinjve në strukturat e partisë.

Klan News