Pasi ka dhënë dëshminë në SPAK për rreth 7 orë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që po mbahet online pasi para godinës së bashkisë po zhvillohet protesta nga përfaqësues të opozitës dhe të Alencës për Teatrin. Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka thënë se sot ka pasur një mundësi të jashtëzakonshme për të qenë në SPAK për të treguar punën e kësaj bashkie.

Erion Veliaj: Stani me lepuj ka rrethuar bashkinë, ju keni vendosur që ta bëjmë këtë mbledhje online se nuk e shtyjmë dot se nuk shtyjmë dot vendimet e rëndësishme për qytetin. Kur mendoj se në SPAK në vend që të prisnin prokurorët, më prisnin makinat 100 mijë Euroshe të këtyre që kanë mbushur stanin me lepuj, e kuptoj që për ne e rëndësishme që të japim shpërblimin për ekipin e Partizanit, të japim bonusin e qirasë, të japim bursat për fëmijët dhe të bëjmë disa emërtime që i kanë bere nder qytetit tonë, siç është titulli Qytetar Nderi per Ali Ahmetin, patriotit të madh nga Maqedonia e Veriut, shqiptarit me zemër të luftës, por edhe të punës dhe të paqes. Si dhe disa emërtime të tjera në qytet, që kane të bëjnë me figura shumë të rëndësishme, si Remzi Hoxha, të cilin SHIK-u i Sali Berishës e vrau dhe e la pa varr. Ky qytet sot duhet të kujtojë që Sali Berisha me lepurin në bark, – se stani me lepur është këtu jashtë, por lepuri në bark është te rruga Mustafa Matohiti, – jo vetëm i vrau dhe i la pa varr, por nuk kërkoi kurrë ndjesë dhe ky qytet ka detyrim që t’i kujtojë.

Pata sot një mundësi të jashtëzakonshme për të qenë në SPAK për të treguar punën e kësaj bashkie. Dola me një ndjesi krenarie që forca jonë politike po bën institucion, bashkë një organizatë të mençur. SPAK, staf i Republikës që me votën dhe buxhetin e PS ka arritur të ndërtojë një institucion për t’u pasur zili. Si u ndërpre ai projekt dhe si ishte oferta tjetër që Tirana paguan 29 dhe jo 37 Euro toni. Këta i ka marrë malli për kioskat, i ka marrë malli që të luajnë bilardo. Këta janë të njëjtët njerëz që merrnin pistoleta me vete kundër kundit të lodrave. Këta kanë nostalgjinë Shqipërinë e 94’ që nuk do të kthehet kurrë pas. Nuk ka asnjë shans edhe në majë të Himalajës të shkojë ai që ka lepura në bark, ata nuk kanë çfarë t’i bëjnë Tiranës. Këta çapaçulët me molotov, këta nuk kanë vend në Tiranë. Ftesa ime për ta është që shkoni nga humbja në humbje pa e humbur entuziazmin dhe nuk do të ndalen humbjet e tyre se nuk kanë asnjë ide. Ai që humbi me 60 mijë vota ka qenë drejtor në bashki, letargji, e plehra ka pasur.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj ka thënë se i është përgjigjur çdo pyetje të prokurorëve të SPAK dhe ka shtuar se nëse dikush ka gabuar në vendimet për të pastruar Tiranën, duhet të mbajë përgjegjësi. Më tej, Veliaj ka thënë se jo vetëm që e ka shijuar si eksperiencë profesionale mënyrën si komunikoi me kolegët e SPAK, por fton kreun e kësaj prokurorie, Altin Dumanin dhe të gjithë stafin që ai drejton që të ecin vetëm përpara.

Erion Veliaj: Unë ndjenja me kolegët për të ju përgjigjur çdo situate pse i kemi marrë ato vendime. Nëse dikush ka gabuar në këto vendime për të pastruar Tiranën, duhet të mbajë përgjegjësi. Le të rrijnë lepujt ditën e natën, nga Bashkia nuk ka heq askush përveç qytetarëve. Frikacakët nuk shkojnë në SPAK. Ne kemi bërë punë të mrekullueshme, kemi menaxhuar kriza të jashtëzakonshme, kemi vlerësim spektakolar nga turizmi. Ata nuk mbledhin dot më turistët, i ka braktisur populli. Unë nuk do të dorëzohem, por do të punoj më fort. Jo vetëm se e shijova si eksperiencë profesionale mënyrën se si komunikova me kolegët e SPAK dhe sa të disiplinuar dhe të përgatitur ishin përfaqësuesit e asaj organizate, por inkurajoj Dumanin dhe sektorin e tij që të ecin vetëm para. Vetëm duke ecur para, mund ta zhvillojmë kombin. Nëse janë burra këta që flasin, le të zbresin dhe të shkojnë në SPAK. Këta nuk janë burra dhe nuk kanë asnjë nder. Duhet të jemi krenarë dhe për atë që kemi arritur dhe si e kemi mbledhur të gjithë llumin bashkë. Secili prej maskarenjve ka fundshpinën e vet interes. Unë llogarinë e kam me qytetarët e Tiranës.  

/tvklan.al