Menjëherë pas daljes nga SPAK, Erion Veliaj mori pjesë në mbledhjen online të Këshillit Bashkiak. Duke inkurajuar kreun e SPAK të ecë përpara, ai iu kundërpërgjigj protestës së opozitës që po zhvillohej poshtë ballkonit të zyrës së tij. Theksoi se ajo zhvillohet vetëm për hallin e Berishës ndërsa pati një apel dhe për kundërshtarët politikë.

Erion Veliaj: Dua të inkurajoj Altin Dumanin, skuadrën e tij, ecni vetëm përpara. Nëse janë burra këta që flasin përditë le të zbresin nga ballkoni Saliut të shkojnë në SPAK, le të zbresi nga paralelet Ilir Meta të shkojë në SPAK. Por këta nuk janë burra, nuk kanë asnjë nder. Duhet të jemi krenar sesi e kemi mbledhur gjithë llumin bashkë. Kemi bashkuar kundër nesh të gjithë llumin.

Veliaj tha se në mëngjes, para SPAK-ut nuk u prit nga prokurorët, por ata që mbushin stanet me lepuj dhe me makina 100 mijë Euro.

Erion Veliaj: Jam informuar, pas daljes nga SPAK, prej faktit që stani me lepuj ka rrethuar bashkinë. Sot në SPAK, në vend që të më prisnin prokurorët, më pritën makinat nga 100 mijë Euro të këtyre që kanë mbushur stanin me lepuj.

Veliaj tha se Tirana është e pandalshme në rrugën e saj të transformimit. Theksoi se ata që protestojnë jashtë godinës së Bashkisë duan të kthehen në kohën e ndërtimeve pa leje.

Erion Veliaj: Këta janë të njëjtët njerëz që merrnin pistoleta me vete kundër këndit të lodrave dhe sot janë stan me lepuj. Dhe po të shikosh, vija tani në sheshin “Skënderbej”, mbushur sheshi me turistë që fotografonin këta në 2024, që kanë nostalgji Shqipërinë e 1994. Po ju’a them qartë: Shqipëria dhe sidomos Tirana e 94 nuk do të kthehet kurrë pas!

Vetëm pak minuta pas përfundimit të mbledhjes, Kryebashkiaku Veliaj postoi në WhatsApp stori një foto ku shfaqen disa lepuj me mbi shkrimin stan me lepuj, duke ironizuar protestën e opozitës.

Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak u miratua vendimi për të shpallur qytetar nderi të Tiranës kreun e BDI-së Ali Ahmeti si dhe u miratuan disa akte me karakter social.

Klan News