Bashkia e Tiranës dhe komuna Kristiansand në Norvegji do të bashkëpunojnë për projekte vullnetare për të rinjtë e të dyja vendeve dhe vendosjen e urave të ndërveprimit mes dy qyteteve. Kryebashkiaku Erion Veliaj priti një delegacion norvegjez për thellimin e bashkëpunimit

 “Kristiansand është një qytet i rëndësishëm në Norvegji, që ka përqafuar një komunitet të jashtëzakonshëm shqiptarësh, rreth 1000, të cilët jetojnë e punojnë aty. Për sa kohë që 165 kombësi jetojnë në harmoni edhe në një qytezë më të vogël se Tirana, do të thotë se formula funksionon: Njerëzit mund të bashkëjetojnë, të përfitojnë nga kulturat e njëri-tjetrit, të bëjnë përpara së bashku. Ndaj, më vjen mirë që kemi një program shkëmbimi mes të rinjve vullnetarë”, është shprehur Veliaj.

Ndërsa zv/Kryetari i Komunës së Kristiansand, Erik Rostoft, u shpreh i gatshëm për të bashkëpunuar edhe në projekte të tjera të rëndësishme.

 “Është kënaqësi të jemi këtu në Tiranë dhe të përjetojmë mikpritjen tuaj. Po shohim se ka shumë fusha në të cilat mund të bashkëpunojmë. Edhe Norvegjia është një vend i vogël po ashtu, por ne vlerësojmë metodat tona të dialogimit dhe mendoj se mund të bashkëpunojmë me njerëzit këtu më së miri. Aktualisht po punojmë për “një qytet për të gjithë” dhe mendojmë se ky është një koncept i mirë për t’u përcjellë edhe në Shqipëri”, ka thënë Erik Rostoft.

Kreu i Bashkisë së Tiranës shfrytëzoi takimin për të shprehur edhe nevojën e një ambasade të Norvegjisë në Tiranë.

Klan News