Kryebashkiaku Erion Veliaj për protestën e opozitës përpara bashkisë tha se sot dolën ata që njerëz nuk kanë moral, pasi vetë gjenden nën hetim nga drejtësia.

Erion Veliaj: Kur shikoj që protestën e drejton Argita me Shkëlzenin, përballë Bashkisë së Tiranës për diçka që është ende nën hetim, Argita me Shkëlzenin thonë: “Ikni ju të vijmë ne”. Pra, t’i lësh Bashkinë e Tiranës Shkëlzenit dhe Argitës, ata ta hedhin në erë siç bënë me Gërdecin. Vetë janë me masa sigurie, vetë thërrasin: “Lironi babin”.

Ndërsa nuk lë pa ironizuar aleatin tjetër të PD-së, kreun e Partisë së Lirisë që ishte në protestën e sotme.

Erion Veliaj: Ilir Meta, kush është administrator i Krrabës këtu? Është administrator i Krrabës? Domethënë Ilir Meta nuk shkon dot në Krrabë. E kuptoj që ka malë malet, por në sensin që akoma nuk harrohen bëmat e tij, akoma nuk harrohet blloku i Ilir Metës.

Këto komente, kryebashkiaku Veliaj i bëri gjatë takimit me administratorët e Tiranës, ndërsa theksoi se me vota opozita nuk e fitojnë e as nuk kanë për të ardhur ndonjëherë në pushtet, pasi qytetarët nuk i kanë harruar ende 97′ dhe Piramidat.

Sa i përket zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës të arrestuar nga SPAK, Veliaj tha se shkuan vetë në polici sapo morën vesh lajmin. Ai shtoi se pavarësisht këtyre sulmeve të opozitës, puna në shërbim të njerëzve dhe zhvillimit të Tiranës duhet të vijojë.

Tv Klan