2

Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me drejtuesit e klubit Tirana për të diskutuar mbi mundësinë e një bashkëpunimi më të gjerë në të ardhmen, si dhe u njoh nga afër me projektin për rikonstruksionin e stadiumit “Selman Stërmasi”.

Ai tha se pas 21 qershorti Bashkia do ta mbështesë këtë klub, sikundër edhe Partizanin, Dinamon apo klubet e tjerë.

Erion Veliaj – Kandidat i majtë për Bashkinë e Tiranës: “Bashkia do të ndihmojë dhe klubet e tjera, edhe Partizanin, Dinamon, Studentin, Farkën, Dajtin sepse bashkia është bërë shumë e madhe. Kjo është një bashki që ka 1 milion banorë dhe 24 njësi vendore. Kjo është më e ndershme sepse më mirë respektojmë 34% të aksioneve dhe japim vlerën e caktuar sesa të themi se kemi 100% për Tironën dhe 100% i zeros, siç e thatë edhe ju, është zero. Besoj se qasja jonë është një qasje më e ndershme dhe më transparente, ku sigurisht pjesën e luanit do ta ketë Tirana, si ekipi ku bashkia është aksionere”.

Veliaj tha se nuk do të firmosë kontrata për t’i hequr asete klubit dhe u shpreh se stadiumi kryesor i Tiranës do të jetë jashtë kryeqytetit.

Erion Veliaj – Kandidat i majtë për Bashkinë e Tiranës:  “Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë që stadiumi kryesor i Tiranës të jetë diku jashtë Tiranës, që të ketë dhe mundësi parkimi. Por, kjo s’do të thotë që të lëmë hapësira të tilla, të cilat fare mirë mund të përdoren nga Tirana dhe të jepen me qera për klube të tjera”.

Bashkia e Tiranës është pronare e 34% të aksioneve të klubit 24 herë kampion të vendit dhe sipas kandidatit Veliaj, ajo do të jetë një nga prioritetet e tij pas 21 qershorit.

Tv Klan