Në redaksinë e emisionit “Stop” ka mbërritur një denoncim nga fshati Mazrek, ku dyshohet, se është falsifikuar një vendim i AKKP në vitin 2002 dhe pjesa më e madhe e tokave bujqësore të këtij fshati janë njohur si toka truall dhe i janë kthyer trashëgimtarëve të shtetasit Avdi Lami. 

Ibrahim Mici, përfaqësues i fshatarëve, tregon, sesi i kanë marrë këto prona në vitin 1991 me ligjin 7501 dhe shprehet i habitur, sesi trashëgimtarët Lami janë bërë pronarë të tokave në këtë fshat.

“I jam drejtuar emisionit “Stop” për një problem pronash. Ne jemi banorë të vjetër të fshatit Mazrek. Baballarët tanë i kanë shpyllëzuar këto prona me krahë në kooperativën bujqësore. Kemi që në vitet 80 që jetojmë në këtë fshat. Pas rënies së sistemit këto toka u ndanë sipas ligjit 7501. Jemi pajisur me tapi me këto toka, me AMTP. Në 2016-ën na erdhi një letër për gjyq me përmbarim sikur këto prona i ka Bujar Lami ose Latif Lami dhe na erdhi shkresa sikur në 2016 nuk kemi pasur asnjë lloj njoftimi për gjykatë. Në vitin 2012 morëm vesh që ky paska fituar një gjyq të shkallës së parë. Ne nuk kemi pasur asnjë lloj njoftimi për gjyq”, tha Lici.

“Stop” siguroi vendimin e AKKP-së  të vitit 2002, ku tokat bujqësore në kundërshtim me ligjin janë kthyer në truall. Në vendim mungojnë firmat e anëtarëve të komisionit, që e nxjerr të pasaktë dhe të falsifikuar këtë vendim.

Bujar Lami, një prej trashëgimtarëve, hap një proces gjyqësor në Shkallën e Parë, ku kërkon anulimin e gjithë vendimeve për fisin Mici dhe fshatarët e Mazrekut. Këtë proces e ka gjykuar Rilinda Selimi, që tani është në Gjykatën Administrative të Apelit.

Ky proces është zhvilluar pa njoftuar palët e paditura, fisin Mici në fshatin Mazrek dhe institucionet shtetërore, që kanë qenë palë e tretë.

“Gjithë familjarët që kanë qenë palë e paditur nuk kanë qenë fare në këtë proces, nuk kanë marrë njoftime dhe vendimi i prerë është dhënë pa dijeninë e tyre. Kanë qenë institucione si Zyra e Regjistrimit, Agjencia e Trajtimit të Pronës etj., por palët nuk e kanë ankimuar dhe nuk kanë marrë pjesë në proces”, tha Kujtim Ibra, avokat.

Më pas prokurorja e Tiranës Mirela Zavalani, konstatoi shpërdorimin e detyrës dhe falsifikimin e  vendimit për punonjësit e Agjencisë, Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, por doli në konkluzionin e mosfillimit. Kjo sepse sipas saj vepra penale ishte parashkruar sepse kishin kaluar 10 vite duke lënë konfliktin hapur. Prokurorja duhej që të ndiqte një pistë tjetër të veprës penale të pastrimit të produkteve për të shuar konfliktin./tvklan.al