Deputetja e Partisë Demokratike Arbjola Halimi ka reaguar pas vetëvrasjes së policit në qendrën e votimit mesnatën e së dielës.

Polici Ameli Vila, vrau veten me armën e shërbimit jashtë qendrës se votimit në fshatin Dishnicë të Korçës.

Vila ishte caktuar me detyrë për të ruajtur këtë qendër votimi. Deri më tani policia nuk ka ende një pistë se cila ka qenë arsyeja që polici ndërmori këtë veprim për t’i dhënë fund jetës.

Por, deputetja e PD, Halimi nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook, thotë se sipas studimeve të deritanishme vetëvrasja në shumë pak raste ndodh gjatë aktivitetit të punës. Sipas saj këto  zgjedhje janë përgjakur dhe pyetja është: Kush e vrau policin në Korçë?

Statusi:

Duke i kërkuar ndjese familjes për këtë koment dhe duke i dërguar ngushëllimet me të sinqerta për familjarin e tyre, punonjësin e policisë qe ka humbur jetën në Korçë, dua të theksoj se: studimet e deritanishme tregojnë se vetëvrasja në shumë pak raste ndodh gjatë aktivitetit të punës. Ajo është zakonisht një akt i përllogaritur për vendin dhe formën dhe ndodh në kushtet e një izolimi e depresioni të thellë.

Këto zgjedhje janë përgjakur dhe pyetja është: Kush e vrau policin në Korçë?/

tvklan.al