Pasi ka bërë të qartë edhe në seancën e jashtëzakonshme plenare të Kuvendit se, ligjin e Vetting-ut do ta apelojë në rrugë legjislative, Partia Demokratike po përgatitet për ta dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese.

Ekspertët do të presin reagime të mundshme edhe nga grupet e interesit, si komuniteti i gjyqtarëve dhe ai i prokurorëve.

Të interesuar drejtpërdrejtë, këto grupe mund të reagojnë ndaj ligjit nëse do te pajtohen me konstatimet e opozitës. Demokratët do të respektojnë edhe afatet kushtetuese. Ata do të presin edhe vendimin që do të marrë Presidenti i Republikës, i cili brenda 20 ditëve nga votimi në Parlament duhet ta dekretojë ose ta kthejë për rishqyrtim ligjin.

Pavarësisht vendimit të presidentit Nishani, opozita, pas respektimit te afateve, do ta ankimojë ligjin.

Opozita e konsideron atë si antikushtetues, thotë se shkel të drejtat dhe liritë e njeriut dhe nga ana tjetër kundërshton edhe rolin që kanë ILDKPI dhe DSIK, dy institucione në vartësi të mazhorancës, në kontrollin e pasurive dhe të figurës së gjyqtarëve.

Ligji për Vetting-un u miratua me 88 vota pro të mazhorances, PS – LSI – PDIU. Një deputet abstenoi, ndërsa opozita u largua nga salla para votimit. /TV KLAN