Autoritetet kanë dhënë informacion të detajuar për operacionin antidrogë të kryer në Vlorë e Fier.

Në total, policia ka sekuestruar një sasi prej 1 191 kilogramë kanabis, e ndarë në 150 pako të mëdha ndërsa në pranga përfunduan 2 persona.

Operacioni nisi në mesnatë nga Policia Kufitare e Vlorës dhe Delta Forcë, pas sinjalizimit të radarit të Policisë Kufitare në Hoxharë.

Më pas, u përfshinë edhe Roja Bregdetare, GdF-ja, D.V.P.Fier, FNSH Fier dhe D.V.P., Vlorë. 

Midis plazhit të Semanit dhe Darëzezës, në vendin e quajtur “Kanali i Serës” pranë Hidrovorit të Hoxharës u bllokua një velierë me emrin “Nano Nini” me flamur belg, me 2 persona në bord, një italian dhe një shqiptar.

Këta të fundit, kur panë se në drejtim të tyre po shkonte Roja Bregdetare dhe policia e hodhën lëndë narkotike në det, megjithatë ata nuk arritën t’i shpëtonin policisë.

Përgjatë natës dhe orëve të para të ditës së sotme, autoritetet kanë rikuperuar të gjithë sasinë e lëndës narkotike që ishte hedhur në det.

Ndëkohë, gjatë kontrollit në mjetin lundrues janë gjetur mbetje të lëndës narkotike, dy armë gjahu pa leje, dy aparate GPS dhe 1 palë dylbi.

“Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, u bë arrestimi i dy personave që u gjetën në bordin e mjetit lundrues dhe konkretisht: Veli Ymeraj, 35 vjeç, banues në Fier dhe Ciovanni Palladino, 69 vjeç, banues në Itali”,

sqaron policia në njoftimin e saj.

Dyshimet janë se mjeti lundrues kishte destinacion Italinë.

Hetimet për rastin në fjalë vijojnë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe me Policinë Italiane për zbardhjen e plotë të tentativës për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Operacioni antidrogë u zhvillua në tokë dhe det, në kushte shumë të vështira të motit, pasi deti ishte me dallgë 5 – 6 ballë. /tvklan.al