I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, kryetari i Bashkisë së Kukësit Bashkim Shehu i ka kërkuar Kryeministrit Edi Rama që të tregojë me emra kush janë vandalët dhe personat problematikë nga Kukësi, sikurse i quajti edhe vet shefi i qeverisë pas përplasjeve në Rrugën e Kombit.

“Kryeministri, ministri i Brendshëm duhet të na sqarojë kush janë këta persona problematikë të ndaluar. Ata janë qytetarë të Kukësit. Normalisht është një pjesë e grupit të këshillit bashkiak pa dallim, edhe socialistët. Kryetari i këshillit bashkiak të Kukësit nuk është përfaqësues i Partisë Demokratike, është përfaqësues i majtë”

, tha kreu i Bashkisë Kukës.

Shehu ka folur madje me emra konkretë sa i përket personave të arrestuar nga Kukësi, duke thënë se hallexhinjtë nuk mund të jetë vandalë.

Blendi Fevziu:

Qytetarët që janë ndaluar në Drejtorinë e Policisë, i njihni?

Bashkim Shehu:

Kjo është edhe gafa që ka bërë policia. Kukësi nuk ka spitalin që jep shërbimet 100%, Kukësi nuk e ka aeroportin e hapur, Kukësit iu mbyll Universiteti. Tani edhe shërbimet ligjore pretendojnë se kush qenka me precendent penal atje, i bëjnë në Tiranë për kuksianët. Më duhet t’ju përmend një emër, Fatos Arulla. Merreni dhe investigojeni. Është një qytetar që gjithë kuksianët e njohin. Është një hallexhi që nuk mund të jetë një person që mund të bëjë akte vandalizmi. Unë nuk kam asnjë gjë. Kam pasur një bashkëpunim shumë të mirë edhe me policinë gjatë këtyre ditëve, sepse kryetarit të Bashkisë i intereson që të ketë qetësi.

Kryetari i Bashkisë së Kukësit shpjegoi gjithashtu se nuk pranon të shkojë në takimin e thirrur nga Kryeministri Rama nëse nuk lirohen qytetarët e arrestuar të Kukësit.

“Përtej asaj që përfaqëson kryetari i Bashkisë, vendosa të mos shkoj në takim sepse gjatë natës ka pasur arrestime dhe terror policor qoftë në Kukës, qoftë në zonat përreth. Është e pamundur të bësh takim.

Unë kam komunikuar që në 2016 me mediat, me Kryeministrin, me ministrat dhe kam kërkuar të ketë transparencë. 365 ditë ka viti. Po ta përpjestosh me 120 mijë Euro, sa i bie tani? I bie as 35 makina në ditë nuk i mbulon. Pastaj Kryeministri thotë që gjithmonë do t’i ketë 120 mijë Euro. Nga ta kuptojmë ne, nga ta marrim vesh”,

u shpreh kryebashkiaku.

/tvklan.al