Në kohën kur zyrtarisht deklarohet se nga fillimi i Qershorit dhe deri me datën 25 Gusht, policia ka evidentuar dhe asgjësuar rreth 1.5 milionë rrënjë kanabis, operacionet policore vijojnë, tashmë janë zhvendosur në Grykën e Poçemit.”

Në 10 parcela përgjatë lumit të Vjosës, u gjetën dhe asgjësuan rreth 40 mijë bimë kanabis sativa.

Rreth tre metra është bima më e lartë narkotike, e mbjellë në parcelat në Grykën e Poçemit.”

Policia arrestoi 4 persona si autorë të dyshuar të kultivimit, por ata mohojnë të kenë lidhje, duke akuzuar të tjerë persona.

Të arrestuarit:

Nuk kemi lidhje fare me këtë punë, ne na kanë marrë lart tek shtëpia, na kanë ardhur katër policë dhe na kanë marrë me zor poshtë.”

-Nga jeni ju?

“Unë jam këtu nga Gorrishti , as nuk i njoh fare, këtu janë koka që as nuk na linin të vareshim poshtë me bagëtitë tona”

 -Nga janë ata personat ?

“Nuk i njoh.”

-Çfarë kërkoni?

“Drejtësinë kërkojmë, tani na kanë lidhur këtu para se të vinit ju, na lanë në diell katër orë.” 

Policia sqaron dhe pretendimet e të arrestuarve.

Altin Qato:

Për shkak të territorit të madh nuk e patëm të mundur të arrestonim të gjithë autorët. Për ne janë autorë të dyshuar, nuk kemi mundësi të bëjmë veprime të plota hetimore, pasi jemi në terren me masa të forta sigurie për të siguruar jetën e punonjësve tanë të cilët operojnë në këtë zonë.”

Uji sigurohej nga lumi Vjosa që ndodhej rreth 200 metra larg.

 “Siç e shikoni rrjeti për vaditjen e bimëve narkotike është shtrirë në të gjithë sipërfaqen e parcelave, madje pranë çdo rrënje kanabis sativa.”

Kultivuesit kanë prerë dhe pemët për të zgjeruar sipërfaqen e parcelave, të cilat i kanë rrethuar me tela në të gjithë perimetrin, me qëllim për të ruajtur bimët nga bagëtitë.

“Sipas specialistëve të antidrogës, bëhet fjalë për një farë kanabisi 6 mujore, e cila për 15 ditë do të ishte gati për të dalë në treg.”

Përfaqësues të Guardia di Finanza sqarojnë se parcelat në Grykën e Poçemit janë konstatuar nëpërmjet monitorimit nga ajri dhe se është sipërfaqja më e madhe e evidentuar këtë vit në Shqipëri.

Në operacion morën pjesë rreth 200 forca policore nga toka dhe ajri, ku bënin pjesë dhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë, Reneas dhe përfaqësues të Guardia di Finanza.

Nga ekspertët është përllogaritur se kostoja e kultivimit për 40 mijë bimët e gjetura arrin në 250 mijë euro, ndërsa në rast se droga e asgjësuar do dilte në treg, do kapte vlerën e shitjes me shumicë rreth 5 milionë euro.

Tv Klan