Tashmë jo vetëm shoferët, por dhe pasagjerët, duke përfshirë dhe ata që ulen në pjesën e mbrapme të automjeteve do të ndëshkohen me gjobë, në rast se nuk vendosin rripin e sigurimit. Gjoba do t’i faturohet drejtuesit të mjetit, dhe vlera për këtë shkelje ka pësuar një rritje drastike pas ndryshimeve të fundit në Kodin Rrugor.

Drejtori i Policisë Rrugore, Ard Veliu:

“Masat administrative fillojnë nga 5 mijë lekë deri në 15 mijë lekë, si dhe shoqërohet me pezullim të lejeve të drejtimit që kanë fëmijë dhe nuk kanë vendosur sistemet e fiksimit. Kushdo që udhëton me një mjet mbas vitit 1990, duhet të përdorë sistemet e fiksimit, edhe drejtuesi i mjetit, edhe pasagjeri edhe pasagjerët që vendosen mbrapa. Do ju lutesha qytetarëve që të jenë korrektë dhe të zbatojnë këtë dispoziztë pasi policia rrugore është zbatuese dhe jo interpretuese e kësaj dispozite .” 

Pas disa aksidenteve të rënda, policia me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë, ka hartuar një plan të posaçëm masash për rritjen e elementëve të sigurisë në rrugë, ku përfshihet dhe ndëshkimi për këtë dispozitë të Kodit Rrugor.

Me plane të detajuara vendosje në akset rrugore që kanë ngarkesë, në zonat turistike dhe në rrugët e konstatuara si njolla të zeza, policia është përqendruar në ndëshkimin e shtetasve që përdorin pije alkoolike, që flasin në celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe drejtuesit e motorçikletave që nuk përdorin kaskë.

Drejtori i ri i qarkullimit rrugor në polici, Ard Veliu, bën me dije se gjatë muajit Gusht dhe në tërësi për vitin 2016, ka një tendencë ulje të aksidenteve rrugore. Vetëm për muajin Gusht sipas tij, ka një ulje prej 27 përqindësh në tërësi e më konkretisht, me një ulje prej 8 përqind për të vrarët dhe 50 përqind për të plagosurit rëndë.

flete gjobe per rrip sigurimi

Intervista e plotë me Drejtorin e Policisë Rrugore, Ard Veliu:

-Zoti Veliu çfarë masash keni marrë për minimizimin e aksidenteve? Cilat janë statistikat, kemi më pak apo më shumë aksidente rrugore?

“Policia e Shtetit në kuadër të masave të marra për sigurimin e sezonit turistik në tërësi, por edhe rritjen e parametrave të sigurisë rrugore në veçanti, ka përgatitur plane të detajuara masash, ku janë përfshirë detyra, si për drejtoritë vendore të policisë, ashtu edhe për drejtorinë e policisë rrugore në tërësi. Për këtë është bërë një plan-vendosje e re e shërbimeve të policisë rrugore, ku vëmendja kryesore është përqendruar në akset rrugore të cilat kanë ngarkesë, njëkohësisht edhe në akset rrugore që janë rrugët kryesore që çojnë turistët nga njëri qytet në tjetrin, por edhe në rrugët e tjera dytësore, të cilat shërbejnë për kalimin e mjeteve të turistëve për plazhet që frekuentojnë qytetarët.”

-Kemi tendencë rritje të aksidenteve apo ulje, çfarë thonë statistikat?

“Në tërësi numri i aksidenteve është në ulje. Në rast se ne do t’i referohemi vetëm muajit Gusht, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015, në tërësi numri i aksidenteve është 27 % më i ulët, duke e krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në rast se do i referohemi pastaj zërave, duke përfshirë numrin e të vrarëve, apo plagosjet e rënda, unë do them se numri i të vrarëve është 8 % më i ulët, numri i të plagosurve rëndë është 50 % më i ulët. Puna jonë është përqendruar kryesisht në  ndëshkimin e të gjithë drejtuesve të automjetëve të cilët dobësojnë sigurinë rrugore.”

-Çfarë do të thotë kjo?

“Kjo konsiston në ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve që përdorin pije alkoolike, për drejtuesit e automjeteve që lëvizin me shpejtësi tej normave të lejuara, që nuk përdorin mjetet e fiksimit, për drejtuesit e motorçikletave të cilët nuk vendosin kasa dhe mjetet e fiksimit. Në Kodin e ri Rrugor, në ligjin 83 78, datë 22.07.98, i përmirësuar në 18.12.2014, janë bërë përmirësime në Kodin Rrugor, ku sanksionet për të gjithë përdoruesit e mjeteve, të cilët nuk përdorin mjetet e fiksimit, si drejtuesi i automjetit, pasagjeri, apo edhe pasagjerët të cilët vendosen në sediljet e pasme për mjetet motorrike të prodhimit pas vitit 1990 janë rritur në mënyrë drastike, dhe masa administrative fillon nga 5 mijë lekë deri në 15 mijë lekë, si dhe shoqërohet me pezullim të lejes së drejtimit 6 muaj deri në 12 muaj për drejtuesit e automjeteve të cilët kanë fëmijë në përgjithësi dhe nuk kanë vendosur mjetet e fiksimit, apo për pasagjerin në rast se është ai për fëmijët.”

-Në rast se në një automjet janë 4 persona, dy në pjesën e përparme kanë vendosur rrip, shoferi dhe pasagjeri, a do të ketë ndëshkim me gjobë në rast se personat në pjesën e pasme nuk kanë vendosur rrip?

“Kodi Rrugor e përcakton taksative që kushdo i cili udhëton me një mjet me vit prodhimi pas ‘90, duhet të përdorë sistemet e fiksimit. Nuk bën përjashtim vetëm drejtuesi i mjetit, po është i përfshirë edhe drejtuesi i mjetit, edhe pasagjerët, edhe pasagjerët të cilët vendosen mbrapa. Kështu që unë do t’iu lutesha dhe ju bëj thirrje dhe qytetarëve, të jenë korrektë dhe të zbatojnë këtë dispozitë, për faktin sepse policia rrugore është zbatuese, nuk është interpretuese e Kodit Rrugor, dhe agjenti verifikues në rrugë në rast se konstaton është i detyruar që të zbatojë dispozitën e Kodit Rrugor. Prandaj çdo drejtues mjeti, në momentin që fillon lëvizjen duhet të vendosë sistemin e fiksimit. Nuk ka përjashtim kur lëviz brenda zonës urbane dhe kur del në një aks rrugor tjetër. Në momentin që fillon lëvizjen, duhet të vendosë sistemet e fiksimit, për faktin sepse në rast se do të konstatohen, punonjësit e policisë rrugore duhet të ndëshkojnë të gjithë këta drejtues automjetesh.”

-A ka tendencë rritje të ndëshkimit apo konstatimit të personave pa rrip, si dhe të personave që flasin me celular?

“Fokusi jonë i përditshëm, pra i agjentëve verifikues të cilët ndodhen në rrugë, por edhe i shefave të cilët menaxhojnë punën e agjendëve verifikues është përqendruar në rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, pra është fokusuar në ndëshkimin e drejtuesve të automjeteve të cilët nuk përdorin mjetet e fiksimit dhe që përdorin mjetet e komunikimit, të cilat janë burim aksidenti në të gjitha akset rrugore. Në rast se i referohemi treguesve, numri i masave administrative të vendosura për këtë periudhë, ka qenë gjithmonë në rritje, qoftë për sa i përket ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve të cilët nuk përdorin mjetet e fiksimit, pra në rastin konkret rripin, apo dhe ata që janë duke përdorur telefonat.”

-Keni një mesazh për qytetarët, duke qenë se gjatë periudhës Qershor- Korrik kemi patur një numër shumë të lartë aksidentesh rrugore?

“Ç’është e vërteta ka patur një numër aksidentesh, por kjo ka të bëjë edhe me perceptimin, pasi siç e thashë dhe pak më parë, numri i aksidenteve është në ulje dhe jo në rritje. Por, në rast se ne fokusohemi ose përmendim aksidentet, një pjesë e mirë ka ardhur si rezultat i faktorëve apo mosrespektimit të rregullave të lëvizjes nga drejtuesit e automjeteve, por edhe nga përdoruesit e rrugës, në rastin konkret nga këmbësorët. Kodi Rrugor përcakton detyrime edhe për këmbësorët, të cilët duhet të respektojnë vizat e bardha, nuk duhet të kalojnë nëpër karregjata, duhet të kalojnë në mbikalime, mos t’u ndërpresin rrugën drejtuesve të automjeteve sepse edhe ata bëhen burim aksidenti.”

-A do të ketë masa për këmbësorët, duke qenë se deri më sot nuk janë zbatuar, megjithëse Kodi Rrugor i parashikon?

“Është pak e vështirë për të implementuar masat administrative tek këmbësorët, në të ardhmen do të ketë një strategji të mirëfilltë edhe për këtë. Por kjo nuk do të thotë që drejtuesit e automjeteve nuk duhet të jenë të vetëdijshëm apo nuk duhet të jenë të përgjegjshëm gjatë drejtimit apo guidimit të mjetit dhe të kalojnë shpejtësinë tej normave të lejuara, apo të mos respektojnë sinjalistikën sepse në rast se drejtuesit e automjeteve pavarësisht gabimit që do të bëjë këmbësori, do të zotërojë mjetin gjatë lëvizjes, do të shmangë një aksident të mundshëm.”

Tv Klan