Qindra refugjatë nga Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme do ta kalojnë këtë Vit të Ri nën qiell të hapur pasi kampi Lipa pranë Bihacit në Bosnjen perëndimore ku ata strehoheshin prej disa muajsh u shkatërrua nga zjarri. Refugjatët u vërtitën nëpër zonën me baltë si dhe pyjet përreth e pastaj u kthyen në kampin e djegur.

Të mbështjellë me xhaketa dimri, me shallë e kapele, ata mbanin në duar ato pak gjëra që i kishin shpëtuar zjarrit. Ata po transferohen në Bradina, një qytet 320 km më larg, në Bosnjen qendrore. Mungesa e një marrëveshjeje mes autoriteteve lokale në Bosnje lidhur me destinacionin e refugjatëve e ka ndërlikuar situatën. Ata janë përpjekur pa sukses të kalojnë kufirin me Kroacinë për të shkuar në vendet perëndimore evropiane.

Ministri i Sigurisë të Bosnjes, Selmo Cikoti, pranoi faktin se banorët e Bradinas, destinacioni i ri ku po zhvendosen refugjatët, janë të pakënaqur dhe kanë organizuan protesta kundër tyre. Kampi Lipa, i cili u hap si një strehë e përkohshme për muajt e verës, strehonte rreth 1,200 vetë dhe ishte në plan të mbyllej të mërkurën për riparimet e dimrit.

Bashkimi Evropian, i cili e ka mbështetur Bosnjen me 60 milionë euro për të përballuar krizën dhe ka premtuar 25 milionë euro shtesë, u ka kërkuar në mënyrë të përsëritur autoriteteve të gjejnë një alternativë të përshtatshme për Kampin Lipa, duke paralajmëruar se po afron një krizë humanitare. Rreth 10,000 refugjatë janë aktualisht të bllokuar në Bosnje./tvklan.al