Kuqeblutë marrin barazimin e katërt radhazi në kampionat, sfida në “Loro Boriçi” mbyllet me rezultatin 1-1

Egnatia befasoi Vllazninë në stadiumin “Loro Boriçi”, duke barazuar 1-1 në takimin e javës së 17-të të kampionatit.

Për kuqeblutë ky është barazimi i katërt radhazi në kategorinë e më të mirave, ndërsa rrogozhinasit morën një pikë të rëndësishme pas humbjes në shtëpi kundër Partizanit. Vendasit ishin më kërkues në fushë, por u treguan të pasaktë në finalizim duke shfaqur të njëjtat probleme si në takimet e mëparshme.

Ndësa miqtë realizuan në rastin më të mirë që patën. Sulmuesi Ademi mori topin nga mesfusha, çau përpara dhe e fitoi duelin kundër portierit Zogoviç. Në 45 minutat e dyta, ishin sërish kuqeblutë më kërkues. Përpjekjet e tyre u shpërblyen në minutën e 70, ku Krymi barazoi rezultatin.

Një gol special për mesfushorin, pasi shënoi në takimin e tij të 200 me ekipin shkodran e gjithashtu për Vllazninë, që kap shifrën e 3 mijë golave në histori.

Vllaznia që shkon në kuotën e 27 pikëve, humbi një mundësi të mirë për t’iu afruar kreut që mbahet nga Tirana me 7 pikë më shumë e një ndeshje më pak. Ndërsa Egnatia ngelet në vend të parafundit në renditje, me 15 pikë pas 17 ndeshjesh.

Klan News