Alban Semaku u ekzekutua me 3 plumba

Zbardhen detaje të reja nga ekzekutimi ish-anëtarit të Bandës së Lushnjës Alban Semaku, trupi i pajetë i të cilit u gjet në lumin Shkumbin në afërsi të Peqinit ditën e diel. Hetuesit dyshojnë se ai ka dalë që një ditë më parë nga banesa e tij në qytetin e Lushnjës dhe më pas ka rënë në kontakt me persona të cilët e kanë ekzekutuar me tre plumba.

Grupi hetimor ende nuk mund të thotë nëse ai është rrëmbyer, apo është larguar fillimisht me persona që i njeh, ndërsa dyshon se për të shkuar deri në Peqin, është ndjekur rruga nga vendi i njohur si Bishti i Zhurit.

Ishte nëna e 38-vjeçari që pasi kaloi mbrëmjen pa ditur se ku ishte djali i saj ka shkuar në Komisariatin e Lushnjës ku ka bërë denoncim për zhdukjen e tij.

Sipas burimeve të Tv Klan, Policia e Lushnjës e kishte shpallur në kërkim viktimën dhe të dielën, pas gjetjes së trupit të pajetë, është kërkuar që denoncuesja të shohë trupin për ta identifikuar. Semaku që deri në vitin 2011 mbante emrin Elton Mermali dyshohet të jetë ekzekutuar pikërisht në vendin ku u gjet trupi i pajetë.

Pistat  hetimore lidhen kryesisht me të shkuarën e ish anëtarit të Bandës së Lushnjës, i përfshirë dhe dënuar për disa ngjarje kriminale që nisin që prej vitit 1998. Burimet nuk përjashtojnë që në ngjarje të jenë përfshirë edhe persona të shpallur në kërkim nga drejtësia.

Tv Klan