Kujtim Beli, 60 – vjeçari shqiptar i cili akuzohet se mëngjesit e së martës vrau bashkatdhetarin e tij 49 – vjeçar, Demir Hyseni, në Terni të Italisë, ka mohuar autorësinë e krimit.

Ai doli para gjykatës në Bari ditën e enjte, ku mohoi vrasjen e muratorit shqiptar dhe deklaroi se kishte alibi.

“Nuk e kam vrarë unë Hysenin dhe atë ditë ndodhesha në Padova për çështje pune”,

mësohet të ketë deklaruar para gjykatësit 60 – vjeçari Beli.

Sipas mediave italiane, Beli, i dyshuari kryesor për vrasjen e ish – mikut të tij të familjes, foli edhe për përplasjen e vjetër mes tij dhe viktimës, për shkak të një lidhjes mes Hysenit dhe ish – bashkëshortes të të akuzuarit.

Për këtë Beli tha se nuk kishte asnjë arsye për të pasur mëri,

“edhe sepse kam vite që jam ndarë nga bashkëshortja”.

Kjo është edhe pista kryesore e hetimeve të autoriteteve italiane, ndërsa mbrojtja duket se kërkon që ta hedhë poshtë këtë pistë duke pretenduar se Beli atë ditë nuk ndodhej në Terni, ndaj dhe nuk kishte sesi ta vriste bashkatdhetarin e tij të martën.

Por sipas hetimeve të karabinierëve të Ternit, 60 – vjeçari ka biseduar në telefon me viktimën një natë përpara vrasjes. Mëngjesin që pasoi, Beli e priti poshtë shtëpisë Hysenin, i cili ishte nisur për në punë. Në këtë moment mes palëve pati një zënkë dhe më pas Beli e qëlloi 49 – vjeçarin me pistoletë, duke e lënë të vdekur.

Pas kësaj Beli u nis me tren drejt Barit, ku kishte parkuar makinën, të cilën tentoi ta shiste përpara se të kthehej për në Shqipëri, me qëllim që të humbiste gjurmët.

Në fund të marrjes në pyetje, pavarësisht pretendimeve të Belit, gjykata vendosi ta lerë atë në arrest me burg.

Këtë të premte, pritet që kryhet autopsia e trupit të viktimës e më pas t’i dorëzohet familjes.

49 – vjeçari Demir Hyseni ishte i martuar dhe kishte 3 fëmijë./tvklan.al