Kryetari shqiptar i komunës së Bogovinës në Maqedoni, Hazbi Idrizi, 58 – vjeç, mbeti i vrarë pas një përplasjeje me armë. Ai u qëllua 6 herë nga një person i identifikuar si Qani Abazi, pas një debati në një prej lokaleve të komunës.

Të dy burrat ndodheshin të ulur në të njëjtën tavolinë. Sipas dëshmitarëve, të cilët rrëfejnë për mediat maqedonase ngjarjen, ajo që nisi si një zënkë verbale përfundoi në një përleshje me armë. Autori i krimit, një ish – punonjës i komunës Bogovinë, ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi Idrizin duke e lënë të vdekur. Qani Abazi ka tentuar më pas të vrasë veten me një plumb në kokë. Ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra dhe gjeti vdekjen pasditen e së shtunës në spitalin e Tetovës.

Hazbi Idrizi është një nga shqiptarët e zgjedhur nga radhët e BDI-së për të drejtuar komunën me shumicë shqiptare. Ngjarja vjen në kohën kur Maqedonia duhet të vendosë datën e zgjedhjeve lokale. Sipas afateve kushtetuese, në datën 14 maj përfundojnë mandatet e kryetarëve të komunave. Afati për shpalljen e datës së zgjedhjeve lokale ka përfunduar si pasojë e zgjatjes së krizës politike dhe mungesës së kreut të parlamentit deri pak javë më parë.

Tv Klan