Një prej komandatëve kryesorë të Shtetit Islamik është vrarë në një operacion ushtarak në Nangarhar të Afganistanit. Lajmi bëhet i ditur nga forcat e sigurisë afgane.

Saad Emarati ishte një prej themeluesëve të grupit militant të degës në Afganistan – Pakistan dhe udhëhoqi disa sulme kundër talebanëve dhe qeverisë.

Zyrtarët afganë, sipas BBC, thonë se ai ishte një prej 120 militantëve të dyshuar, të vrarë në një operacion në zonën e Kot.

Vrasja e Emarati vjen pak ditë pas një sulmi me bombë në Kabul të marrë përsipër nga ISIS, ku mbetën të vrarë 80 persona.

Emarati ishte një ish – komandant taleban, por ndryshoi aleancën e tij duke iu bashkuar ISIS pas vdekjes së Mullah Omar, themeluesi i talebanëve.

Analistët thonë se ai ishte një prej liderve më të rëndësishëm të ISIS në këtë rajon dhe vdekja e tij, nëse konfirmohet, do të ishte një goditje e rëndë, për aftësinë e grupit për të vepruar në lindjen e Afganistanit./tvklan.al