Ndërsa Rusia mban zi për viktimat e sulmit terrorist në një sallë koncertesh në Moskë, po përhapen disa pista të ndryshe për mënyrën se si rrodhën ngjarjet dhe kush fshihet pas sulmit. Në videot e dëshmitarëve në rrjetet sociale dhe ato të postuara nga grupi islamik ISIS K që ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin, dallohen të paktën katër vetë që hyjnë të armatosur në hollin e sallës së koncerteve dhe menjëherë hapnin zjarr.

Videot e reja të cilat u publikuan nga agjencia e lajmeve e IS Amaq, tregojnë personat e armatosur duke filmuar veten teksa qëllojnë pjesëmarrësit e koncertit. Në një moment, njëri nga personat e armatosur i thotë tjetrit “vriti dhe mos ki mëshirë”. Tmerri brenda sallës mësohet nga videot e vetë dëshmitarëve. Njëri prej tyre dëgjohet këtu duke thënë në rusisht: “Po qëllojnë me mitraloz. Ata qëllojnë turmën. Disa njerëz po qëllojnë.”

Një tjetër thotë, “jemi në sallën e koncerteve Crocus. Këtu po qëllojnë. Shumë njerëz vrapojnë, të gjithë po bërtasin.”

Tragjedia thellohet kur dëshmitarët pikasin zjarrin. “I kanë vënë flakën sallës. Salla po digjet. Na vunë zjarrin”, bërtet dikush tjetër.  U desh ndërhyrja e helikopterëve që hedhën rreth 160 tonë ujë dhe 10 orë punë që zjarri të ndalohej.

Sulmi që zgjati rreth 20 minuta u mori jetën zyrtarisht 137 vetëve, mes tyre tre fëmijë.

Ndërsa autoritetet kanë ndaluar të paktën 11 vetë, mes tyre katër autorët e dyshuar të sulmit, spekulimet mbi identitetin e tyre dhe motivet po përhapen me shpejtësi. Ka pikëpyetje nëse Rusia i ndoqi paralajmërimet e bëra nga SHBA-ja mbi këtë sulm.

Komiteti investigativ i Rusisë publikoi të dielën video të shoqërimit të të arrestuarve në Moskë. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan pikërisht për rrezikun nga Shteti Islamik i Korasonit, por presidenti Vladimir Putin dhe mediat u fokusuan tek Ukraina.

Ata thanë se atentatorët u larguan drejt kufirit të Ukrainës, por askush nuk jep dot shpjegim se si u lanë ata që të ikin rreth 450 km larg Moskës pa u vënë re.

Pista tjetër është ajo e orkestrimit të sulmit nga vetë agjencisë ruse të sigurisë me qëllim për të justifikuar mobilizimet e reja në ushtri. Kjo ka ndodhur edhe më parë, kur të paktën 300 vetë u vranë me shpërthim eksplozivi me qëllim për të akuzuar separatistët çeçenë, e më pas për të filluar luftën e dytë çeçene.

Klan News