Në një intervistë të gjatë për portalin serb “Espreso.rs”, Presidenti Aleksandar Vuçiç ka theksuar nevojën që shqiptarët dhe serbët të arrijnë kompomisin e shumëpritur. Por, i pyetur se çfarë nënkupton termi korrigjim i kufirit, nuk ka dhënë ndonjë hollësi më shumë.

“Po ju them, domethënë vendosje të kufirit mes nesh dhe shqiptarëve”.

I pyetur se çfarë marrëveshje mund të arrihet me Kosovën, presidenti Vuçiç, thotë se e mira do të ishte që marrëveshja të jetë e pranueshme edhe nga serbët edhe nga shqiptarët.

“Të kemi çfarëdo marrëveshje të cilën e pranojnë serbët dhe shqiptarët. Ajo sjell paqen. Ndryshe paqe nuk ka. Kuptonie këtë! Njerëz, më kuptoni dhe të gjithë silluni me përgjegjësi dhe ta kuptoni se vetëm kjo është e mundshme”.

Vuçiç me këtë rast ka folur edhe për realitetin në Kosovë, duke bërë thirrje për njohjen e tij.

“E vërteta është se në Kosovë nuk është gjithçka shqiptare dhe e vërtetë është se në Kosovë nuk është gjithçka serbe, dhe është e vërtetë se duhet të arrijmë kompromis. Ai i cili nuk e kupton këtë do ta çojë Serbinë në tragjedinë më të madhe nga e cila do të dalim të mundur, të mundur më keq se kurrë më parë”.

Aleksandar Vuçiç në paraqitjen e tij të fundvitit ka thënë se nuk i frikësohet ushtrisë shqiptare dhe askujt tjetër dhe, në këtë shtrirje, ka folur për investimet në modernizimin e ushtrisë. Ai tha se vetëm për blerjen e avionëve ushtarakë janë dhënë gati 1 miliard Euro. /Klan Macedonia