Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratave të kreut të opozitës kundër ministrit të Brendshëm. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama akuzon opozitën se po punon kundër integrimit dhe për audio-përgjimin po pret provën shkencore të prokurorisë.

“Zhytu Lulëzim zhytu, thellë e më thellë, nxirr nga fundi i llumit sa me shume nga këta xhevahirë dhe dërgojua vrap miqve të tu t’i përdorin kundër Shqipërisë! Unë do pres me durim provën shkencore të audiopërgjimit nga prokuroria dhe këtu jemi,shqiptarët do shohin e do gjykojnë!”

Pas akuzave të opozitës ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla. Në një takim në Librazhd, Balla tha se bëhet fjalë për një inskenim dhe shantazh ndaj ministrit të brendshëm ku të përfshirë ka edhe ndonjë gjykatës.

“Ne do të kishim marrë masa të ashpra ndaj kujtdo nëse një e një mijta e kësaj historie me babalen do të ishte e vërtetë. Por gjithë ky inskenim shantazhi ndaj Fatmir Xhafajt si ministër vjen për shkak të luftës pa kompromis që ky i fundit i ka shpallur krimit të organizuar. Dhe në këtë inskenim janë të përfshirë, jo vetëm politikanë të korruptuar si Saliu, Monika, Luli etj., por janë të përfshirë edhe ndonjë gjyqtar i korruptuar, të cilët duke qenë se Vettingu do t’i pastrojë nga sistemi i drejtësisë, u munduan të shantazhojnë ministrin, të shantazhojnë qeverinë, për të moslejuar vijimin e aksionit “Forca e Ligjit” për të mos vijuar punën që kemi nisur.”

Për mazhorancën e majtë akuzat ndaj ministrit të Brendshëm janë përpjekje e opozitës për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Europian në qershor.

Tv Klan