Meta: Po shantazhohet Tusha. PD: Sulm i “vëllait të Geronit”

Fatmir Xhafaj, ish-Kryetar i Komisionit Parlamentar të Reformës në Drejtësi thotë se Marsida Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Xhafaj e gjen të pavend shpalljen Xhaferllarit si anëtare nga ana e nënkryetares së KED-së, Vitore Tusha pasi për këtë ai thotë që Gjykata Kushtetuese nuk pati një vendimmarrje ndërsa dekretin e Presidentit e sheh jashtë afateve të përcaktuara.

“Në bindjen time znj.Xhaferllari nuk mund të jetë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Nuk plotëson kushtet dhe kriteret për të qenë e tillë. Votimi klientelist dhe lidhjet shoqërore brenda KED e përfshinë në listë ish Kryeinspektoren e KLD së vjetër që degradoi sistemin. Presidenti, sipas meje, në këtë rast nuk ka të drejtë. Ka nxjerrë një dekret të paligjshëm në tejkalim të afatit ligjor. Nuk të bën betimi gjyqtare, por kushtetueshmëria e zgjedhjes nga organi që e gëzon këtë të drejtë, me afatet e procedurën e duhur”.

Deklaratat e ish-kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi Xhafaj janë konsideruar skandaloze nga Presidenti Meta.

“Skandaloz presioni politik ndaj KED-së dhe anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha! I vetmi përgjegjës për aktet kriminale të militantit Ardian Dvorani është vetëm ai, përndryshe Katica jonë i Reformës në Drejtësi. Nuk ka Rilindje lokale dhe ndërkombëtare që e shpëton atë nga përgjegjësia e rëndë penale. Katica jonë bëri një akt shumë më të rëndë se vendosja e gjobës së një biznesmeni. Katica jonë donte të vidhte gjithë Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë. Provat po shtohen. Garantët e krimit kushtetues po dalin vetë. Video po përgatitet!”

Pas deklaratave të Xhafës reagoi Partia Demokratike me anë të Sekretarit të Përgjithshëm Gazmend Bardhi i cili i quan ato të papranueshme ndërsa citon 3 nene të Kushtetutës.

“Emërimi i 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga Dvorani i Partisë në KED (neni 125 i Kushtetutës). Gjyqtari i emëruar që të fillojë detyrën duhen të betohet përpara Presidentit të Republikës dhe jo në zyrën e Fatmir Xhafës apo selinë e Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës). Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese duhet të betohet që do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, dhe jo pushtetit popullor dhe Statutit të Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).

Sipas Partisë Demokratike gjithçka po bëhet prej mazhorancës për të kontrolluar sistemin e ri të drejtësisë.

Tv Klan