Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev ka dalë sot në një konferencë për shtyp, për të prezantuar programin qeveritar. Pikat kryesore të këtij programi janë zhvillimi ekonomik, kthimin e demokracisë e sundimi i së drejtës, si dhe integrimi në NATO dhe BE.

“Maqedonia duhet të ecë përpara. Sot jam para jush për ta prezantuar programin qeveritar. Qeveria e re do të angazhohet për anëtarësim në NATO dhe BE. Ndërkohë që do të bëjmë përpjekje maksimale për zgjidhjen e krizës”

, tha Zaev.

Lideri i LSDM u shpreh se askush nuk ka të drejtë të bllokojë proceset demokratike.

“Qytetarëve të Republika e Maqedonisë iu duhen paga më të mëdha. Shumica e qytetarëve kanë dhënë besimin në zgjedhje. Qëndroj fort pas këtyre përcaktimeve tona. Si politikan me përgjegjësi të lartë, që mori mbështetjen nga shumica e qytetarëve, sot jam këtu para jush për të prezantuar programin qeveritar”.

Zaev tha se loja e rrezikshme e Gruevskit dhe Iavnovit, nuk do të vazhdojë të shqetësojë më qytetarët e Maqedonisë.

Ai premtoi se Maqedonia do të jetë shtet për të gjithë dhe se nuk do të ketë të afërt dhe jo të afërt me pushtetin.

“Republika e Maqedonisë do të aspirojë drejtë BE-së dhe NATO-s, për ta arritur këtë do t’i përmbushim të gjitha reformat e nevojshme, sepse kjo mundëson një jetë me kualitet për të gjithë qytetarët. Do ti nxisim biznesmenët që ti zgjerojnë kapacitetet e tyre, me çka do të mundësojmë hapjen e vendeve të reja të punës. Do të jemi qeveri e hapur dhe transparente, do të konsultohemi me qytetarët dhe esnafët në sjelljen e vendimeve. Do të sigurojmë zhvillim të barabartë rajonal. Ndarja e mjeteve deri tek komunat do të jetë transparente”

, theksoi Zaev më tej.

Sa i përket sistemit gjyqësor, kreu i LSDM tha se do të jetë i pavarur dhe efikas, e se partitë do të mbeten jashtë gjykatave. Zaev u shpreh se do të formohet sektor special në gjykatë që do të merret me çështje që ka ngritur Prokuroria Speciale Publike.

Më tej, Zaev premtoi media të pavarur, si dhe një administratë pa presione politike.

Ai u shpreh se qeveria e re do të përkushtohet në zbardhjen e plotë të rastit të Kumanovës dhe për këtë do të kërkohet edhe mbështetja e ndërkombëtarëve. Të njëjtën gjë tha edhe për rastin “Monstra”, “Sopoti”, “Brodeci”, “Martin Neshkovski” etj.

Sa i përket ligjit për gjuhët, Zaev tha se të gjithë qytetarëve duhet t’ju mundësohet komunik i drejtë me të gjitha institucionet.

“Do të mbështesim politikë gjuhësore për të gjithë qytetarët. Do të mbështesim ndryshime ligjore në pajtim me Amandmanin 5 të Kushtetutës, që t’i mundësojmë bashkësisë etnike shqiptare që të komunikojnë në gjuhën e tyre amtare me të gjitha institucionet shtetërore. Do të ketë ndëshkime për të gjitha institucionet që nuk do të respektojnë këto vendime”.

Zaev premtoi më tej ndryshime rrënjësore në udhëheqjen e politikave në Maqedoni. Sipas tij, ka ardhur koha që politikanët të frikësohen nga qytetarët./tvklan.al