negociatoret-PERikthimi i opozitës në kuvend dhe dekriminalizimi i parlamentit e institucioneve të tjera publike. Këto janë dy propozimet që eurodeputeti Eduard Kukan dhe raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian Knut Fleckenstein japin për zgjidhjen e ngërçit politik në vend.

Ato u bënë të ditura përmes një deklarate të përbashkët të publikuar pasdite në faqen e internetit të eurodeputetit të Partisë Popullore Europiane Eduard Kukan.

Aty janë publikuar edhe datat kur eurodeputetët do të vizitojnë Shqipërinë. Eurodeputeti i grupit socialdemokrat të qendrës së majtë Knut Fleckenstein do të jetë i pari që do të vizitojë vendin tonë të në datat 18 dhe 19 dhjetor.

Ndërsa Eduard Kukan i qendrës së djathtë do të jetë në Shqipëri më 21 dhe 22 dhjetor. Ata do të zhvillojnë takime me krerë të lartë të politikës shqiptare.

Rikthimi i opozitës në Kuvend, sipas tyre është hapi më i rëndësishëm për rikthimin e dialogut me shumicën parlamentare dhe zgjidhjen e ngërçit politik në vend. Ndërsa për dekriminalizimin e parlamentit, ata pritet t’i kërkojnë deputetëve shqiptarë hartimin e një drafti që më pas do të votohet në Kuvend brenda 6 muajve.

Dy eurodeputetët janë mandatuar nga Parlamenti Europian për të ndihmuar shumicën parlamentare dhe opozitën për të rivendosur dialogun institucional dhe zgjidhjen e ngërçit politik.

Në deklaratë, ata thonë se grupet parlamentare që përfaqësojnë janë mbështetës të vazhdueshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Ndaj dhe rivendosja e dialogut politik mes palëve konsiderohet një hap i rëndësishëm për këtë proces.

Opozita braktisi parlamentin 6 muaj më parë, pas disa incidenteve të dhunshme ndaj deputetëve të grupit të saj parlamentar në Kuvend.

Tv Klan