Policia e Shtetit ka marrë në ruajtje të gjitha objektet zgjedhore në të gjithë vendin për zgjedhjet parlamentare të ditës së nesërme. Zyrtarisht njoftohet se janë marrë në ruajtje 5362 qendra votimi dhe 90 komisione zonale të administrimit zgjedhor.

Për ruajtjen e KZAZ-ve dhe Qendrave të Votimit, Policia e Shtetit ka angazhuar 5851 punonjës policie.

Ruajtja e Objekteve Zgjedhore do të vazhdojë deri në orën 07:00 të datës 25.06.2017 kur pranë tyre do të fillojnë normalisht punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Pranë strukturave qendrore e vendore të policisë funksionojnë grupet e drejtim – koordinimit, të cilat janë ngritur për menaxhimin e përpunimin e shpejtë të informacionit dhe për një komunikim sa më efikas dhe në kohë reale me median e publikun.

Në vijim, veprimtaria e Policisë së Shtetit, do të fokusohet në përmbushjen e detyrave  për:

-Ruajtjen e Qendrave të Votimit, proces i cili do të vijojë deri në momentin kur KQV-ja fillon veprimet paraprake për çeljen e votimit.

-Në menaxhimin e situatave apo të dhënies ndihmë për  rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Qendrat e Votimit, në rastet e kërkesës së ligjshme të Komisioneve të Qendrave të Votimit.

-Shoqërimin e materialeve të votimit nga Qendrat e Votimit për në Vendet e Numërimit të Votave.

-Marrjen në ruajtje dhe sigurimin e Vendeve të Numërimit të Votave.

-Kryerjen e veprimeve procedurale për të gjithë ngjarjet / incidentet që mund të ndodhin gjatë procesit zgjedhor, duke bashkëpunuar me prokuroritë e rretheve gjyqësore.

-Dhënien e ndihmës për rivendosjen e rregullit dhe të rendit publik në Vendet e Numërimit të Votave, në rastet e kërkesës së ligjshme të KZAZ-ve.

-Shoqërimin e materialeve zgjedhore nga Vendet e Numërimit të Votave për në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve në përfundim të procesit zgjedhor.

-Garantimin e rendit publik në të gjithë territorin e vendit.

Në të gjithë vendin aktualisht situata e rendit dhe sigurisë publike paraqitet e qetë. /

tvklan.al