Dy krerëve të koalicionit qeverisës të cilët vendosën t’i drejtohen me një letër Partisë Popullore Europiane që të negociojnë për vendosjen e dialogut në vend, Lulzim Basha iu përgjigj nga çadra e opozitës. Ramës e Metës i kujtoi sërish kushtin e panegociueshëm, qeverinë teknike.

“Meqë PS e LSI i paskan zgjidhur punët me njëri-tjetrin dhe paskan dalë me platformë që do i kërkojnë PPE-së të ndihmojnë negociatat po ju them. Kërkojeni ku të doni, por pa qeveri teknike nuk ka zgjedhje në Shqipëri. Lërini demagogjitë, zgjidhni një herë punët me socialistët tuaj, se një pjesë e dinë që jeni të inkrimuar, një pjesë që i çoni zhagen, prapë se prapë nuk ju ndihmojnë dot, se me Partinë Popullore Europiane ka kush flet.  Se me PPE nuk zgjidhen me zhage punët siç i zgjidhni në familjen tuaj. Nuk zgjidhen në PPE punët ashtu”.

Një përgjigje e pati edhe për kreun e LSI-së, i cili pas takimit me aleatin e tij foli për situatë mosbesimi.

 “Basha nuk është në situatë mosbesimi, situatë mosbesimi jeni ju me njëri-tjetrin, unë jam fare i qartë. Kjo qeveri duhet të shkulet me rrënjë.  Kjo qeveri duhet të shkulet me rrënjë nga kryeministri e çdo ministër duhet e do të largohen. Ju keni një hapësirë, kundërshtarë. Të uleni bashkë me ne për të përcaktuar qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike. Rrugë tjetër nuk ka e nuk ka për të pasur. Kjo për sqarim meqë mbaruan kafen e së dielës bashkë me njëri tjetrin.”

Basha përsëriti ftesën për dialog, por me kushtin që axhenda e diskutimeve të jetë ajo e dakordësuar javën e kaluar mes negociatorëve të dy palëve për qeverinë teknike dhe mandatin e saj.

Tv Klan