Për shefin e diplomacisë europiane Josep Borrell, Ballkani Perëndimor është më pranë Bashkimit Europian se kurrë më parë.

“Ballkani Perëndimor, Turqia, Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia kanë një dritare historike mundësish për të lidhur fuqimisht të ardhmen e tyre me Bashkimin Europian. Shtetet kandidate dhe Bashkimi Europian kanë një mundësi historike për të ndërtuar një union më të madh, më të thellë dhe më të fuqishëm”.

Këtë deklaratë, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme e bëri në një reagim me shkrim në përkujtim të ditës që shënon 20-vjetorin e zgjerimit më të madh që unionin ka patur ndonjëherë, pas ndasive të mëdha që përjetoi në Luftën e Dytë Botërore. Borrell u shpreh se lufta ruse në Ukrainë është një tjetër dëshmi e fuqishme se ribashkimi i Europës ende nuk ka përfunduar dhe se sa i nevojshëm është për shuarjen e konflikteve.

10 vende të reja iu bashkuan unionit më 1 Maj 2004, kryesisht nga lindja ish-komuniste, ku përfshihen Polonia, Çekia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, vendet Baltike, si dhe Qipro e Malta.

Tv Klan