grabitja_lezh

15 persona janë shoqëruar nga Policia e Lezhës, në përpjekje për të zbardhur grabitjen e një supermarketi pranë kryqëzimit të Tales, në superstradën Lezhë – Laç. Mes tyre janë punonjësit e supermarketit dhe disa të tjerë, që dyshohet të kenë dijeni për ngjarjen.

5 autorët, që ishin të veshur si punonjës policie të ndërhyrjes së shpejtë, kanë arritur të marrin xhiron ditore të biznesit, rreth 2 milionë lekë të reja dhe disa steka me cigare.

Aktualisht vijon kqyrja e kamerave të biznesit dhe të një karburanti ngjitur me supermarketin, ku është vënë re se grabitësit janë futur me dritat e mjetit të fikura në parkingun e marketit, në mënyrë që të mos bien në sy.

Ata udhëtonin me një Reno të bardhë, ndërsa targa e mjetit ende nuk është saktësuar. Burime policore thanë se autorët ishin të armatosur me shotgun dhe pistoleta dhe nuk u lanë asnjë mundësi reagimi punonjësve të supermarketit.

Policia ngriti postoblloqe në rrugët që lidhin Lezhën me Milotin, por nuk ka mundur të ndalojë autorët e kësaj grabitjeje.

Tv Klan