I ati i  5 – vjeçarit, i cili u godit për vdekje nga i dashuri i ri i nënës së tij, rrëfen se si iu shndërrua jeta  “në makth” nga vdekja e të voglit.

Leroy Malcolm thtë se kishte luftuar shumë për t’u përmbajtur kur pa vrasësin Marvyn Iheanacho, gjatë gjyqit për vrasjen e të birit, Alex Malcolm. Ai shprehet se ka rënë në depresion që nga ajo kohë, duke shtuar se i është mohuar takimi me Alexin para se të ndërronte jetë, pasi ai kishte

“një njeri më të mirë në jetën e tij”

.

Iheanacho, 39 – vjeç, goditi për vdekje fëmijën e të dashurës së tij Lilya Breha, në një park në Catford, në juglindje të Londrës, vetëm sepse humbi një këpucë.

Ai e sulmoi fëmijën me një egërsi të tillë që dëshmitarët, të cilët dëgjuan tetë goditjet që buçisnin, fillimisht menduan se po luftonin dy burra të rritur, por më pas dëgjuan fëmijën që lutej për mëshirë e duke qarë thoshte:

“Më vjen keq, më vjen keq”

.

Në vend që ta çonte djalin, që po ndërronte jetë në spital, i cili ndodhej vetëm pesë minuta larg, Iheanacho e mbante në krahë nëpër rrugë dhe mori taksi për të shkuar në shtëpinë e nënës së Alex, në Bromley. Ai e sulmoi të dashurën sepse po përpiqej të thërriste emergjencën.

Kur zonja Breha arriti të ngrinte alarmin dy orë më vonë, mjekët nuk ishin në gjendje ta shpëtonin djalin, i cili kishte 22 plagë, nga koka deri te këmbët. Alex Malcolm vdiq dy ditë më vonë pas një rrjedhjeje në tru.

Iheanacho u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata e Woolwich këtë të martë.

Në një deklaratë të lexuar në gjykatë, Malcolm tha se ishte e pamundur që ai të reagonte ndaj vrasjes në fjalë.

“Unë jam i tmerruar nga e kaluara e dhunshme e të pandehurit dhe nuk ka kuptim për mua se si mund të ishte ai përgjegjës për jetën e Alexit. U ndjeva i frikësuar, i zemëruar dhe i hutuar kur dëgjova që Alex ishte në spital. Nuk do ta harroj kurrë atë në shtratin e spitalit, duke luftuar për jetën. Ky imazh do të qëndrojë përgjithmonë me mua. Gjatë gjykimit, që më duhej ta dëgjoja vazhdimisht që mohonte atë çka kishte bërë për të ruajtur veten, ishte e vështirë”,

tregon i ati i Alex.

“Pas vdekjes së tij kam rënë në depresion, kam luftuar për të fjetur dhe shpesh kam patur makthe. Fakti që ai kurrë nuk do ta ketë mundësinë të rritet dhe të njohë vëllezërit e tij më të mëdhënj, është shkatërruese. Unë e dua Alexin me gjithë zemrën time dhe më mungon shumë.”

Pas dënimit të Iheanacho, nëna e Alexit kujtoi momentin kur u sulmua nga partneri i saj, ndërsa përpiqej të kërkonte ndihmë për Alex, i cili ishte rrahur keq në park.

Ajo u shpreh:

“Normalisht që bërtisja dhe qaja gjatë gjithë kohës dhe mbaj mend që e pyesja vazhdimisht: “Çfarë i ke bërë Alex?” Ai vazhdonte të më tregonte gjëra të ndryshme dhe pastaj në një moment, kur ai ishte i ulur në shtrat, u zemërova aq shumë sa i thashë: ‘Ti je një rrezik për familjen time’. Dhe kaq ishte. Mu vërsul dhe më goditi menjëherë me grusht në fytyrë dhe me shkelm në gjoks. Deri më tani dhemb, më lëndoi me të vërtetë shumë. Dhe më pas filloi të më mbyste me një krah. Nuk mund të thoja asgjë. Në ato momente kuptova ndjesinë e vdekjes sepse filluan të më rrokulliseshin sytë.”

Gjatë dëshmisë, zonja Breha shtoi:

“Unë jam kënaqur me dënimin që mori sepse ai ka vrarë djalin tim. Edhe pse ndiej se dënimi nuk do të jetë kurrë i mjaftueshëm, mendoj se në Angli kaq është maksimumi që mund të vuajë.”

Gjykatësi Mark Dennis tha se vrasësi i fëmijës ka një “

krisje të thellë të karakterit

”, e cila e çon atë në reagim të tepruar dhe në humbje të durimit.

Ai shtoi se instinktet e para të Iheanachos pas sulmit ishin që të mbronte veten, në vend që të ndihmonte djalin.

Gjykatësi tregoi se juria kishte refuzuar mbrojtjen e Iheanacho-s, se lëndimet ndaj Alex ishin të rastësishme.

Ai tha:

“Këto lëndime janë shkaktuar nga një ndjenjë zemërimi … ishte një humbje e papritur dhe tërësisht e panevojshme e temperamentit, që filloi jashtë portës së parkut.”

Gjatë gjykimit se Iheanacho-s rezultoi se ai kishte telefonuar nga burgu Breha-n për të ushtruar presion ndaj saj, në mënyrë që ajo ta mbështeste në gjykatë.

Nënës beqare nuk iu tha kurrë nga policia se Iheanacho sapo ishte liruar nga burgu për sulm ndaj të dashurës së tij të pestë.

Ai është dënuar disa herë që prej moshës 19 – vjeçare për dhunë të ushtruar ndaj ish të dashurave dhe fëmijës së njërës prej tyre.

Mjekët në spitalin Lewisham u përpoqën ta ringjallnin Alex, por nëpërmjet një skaneri CT u zbulua se po vuante nga një enjtje e rëndë e trurit, ndaj e transferuan në spitalin King’s College. Ai u shpall i vdekur më datë 22 Nëntor, pas një operacioni që rezultoi jo i suksesshëm./tvklan.al