Në qytetin rus të Kalingradit është shfaqur një muze në nder të filozofit të madh gjerman Immanuel Kant për të shënuar 300-vjetorin e ditëlindjes së tij. Filozofi gjerman nuk u largua kurrë nga shtëpia e tij në Königsberg që tani është Kaliningrad dhe pjesë e Rusisë – megjithatë kjo nuk e pengoi atë të përpiqej të kuptonte botën.

Pak nga qyteti që Kanti njohu ka mbetur sot, shumica e qendrës historike u rrafshuan nga sulmet ajrore britanike në vitin 1944, në Luftën e Dytë Botërore. Pas dorëzimit të Gjermanisë, qyteti iu dorëzua Bashkimit Sovjetik ndërsa popullsia gjermane u dëbua. Megjithatë, Kaliningradi i ditëve moderne i ka dedikuar këtë muze, përmbajtjen e të cilit e shpjegon menaxherja e saj.

“Pas meje po bisedojnë Immanuel Kant dhe miqtë e tij që shkuan tek ai për darkë. Është e ditur që Kantit nuk i pëlqente të darkonte vetëm. Ai gjithmonë mendonte se një bashkëbisedues i mirë e bën darkën më pikante”.

Marina Ydova shpjegon pak për sitilin e jetesës që bënte filozofi i njohur gjerman.

 “Kur ishte i ri hante darkë në një tavernë, pasi nuk kishte një shtëpi të tijën, gjithmonë arrinte të gjente një bashkëbisedues mes tregtarëve vendas. Kur bleu shtëpinë e tij në moshën 60-vjeçare, filloi të ftonte rregullisht miqtë e tij për një darkë ku diskutonin një sërë temash dhe një darkë mund të zgjaste deri në tre orë.”

Pjesë e muzeut është edhe kjo orë e veçantë.

“Siç mund ta shihni ne kemi shumë orë të ekspozuara. Kanti dhe koha është një çështje më vete. Të gjithë banorët e Kaliningradit e dinë këtë, sepse banorët e Konigsberg kontrollonin orët e tyre me ato të Kantit kur ai bënte shëtitjet e tij.”

“Sigurisht që ne nuk pretendojmë se kjo është ora e Kantit. Por është absolutisht identike me atë që mbante Immanuel Kant. Mendoj se do të jetë shumë interesante për vizitorët tanë.”

Interesi për muezun ka qenë i lartë.

“300-vjetori i lindjes së Kantiti po shënohet në shumë vende të botës. Njerëz nga vende të ndryshme erdhën këtu për të përkujtuar filozofin në vendlindjen e tij dhe për të nderuar veprat e tij madhështore.”

Kaliningrad dhe Universiteti Shtetëror Federal Baltik organizojnë Kongresin Ndërkombëtar të Kantit me titull “Koncepti Botëror i Filozofisë”, ngjarja kryesore e festës.

“Pavarësisht situatës aktuale ndërkombëtare, festimi i përvjetorit të Kantit në Kaliningrad gëzon një pjesëmarrje shumë të mirë ndërkombëtare.”

Dr. Juergen Stolzenberg, profesor i filozofisë në një universitet në Gjermani, shprehet i emocionuar për muzeun.

“Unë jam shumë i impresionuar nga ky muze. Ndodhem këtu për herë të parë për ta parë këtë muze të ri. Është krejtësisht mbresëlënës. Është i pajisur mirë. Dhe ekspozitat janë shumë të bukura. Duhet të jeni krenarë për këtë ekspozitë.”

Ai thotë se Kaliningrad dhe Universiteti Baltik “mund të jenë një qendër e kërkimit të filozofisë Kantiane”.  “Unë mendoj se Kaliningrad dhe Universiteti mund të jenë një qendër e kërkimit të filozofisë së Kantit sot dhe në të ardhmen.”

Kanti ishte i pari i cili predikoi dhe hodhi hipotezën se planetët formoheshin nga mjegullnaja grimcash dhe pluhuri, kundrejt idesë teologjike fetare, e cila ishte akoma ideja dominante në kohën e kur ai jetoi, se planetet janë të krijuar nga fuqia hyjnore. Ai gjithashtu do të predikonte për ekzistencën e galaktikave të tjera përveç galaktikës tonë. Një tjetër arritje e tij e rëndësishme për t’u përmendur, është studimi i tij, se si ndikonte rrotullimi i tokës rreth vetes në formimin e fenomeneve si baticave dhe zbaticave.

Ai gjithashtu u përpoq të jepte edhe një shpjegim shkencor rreth prejardhjes së qenieve njerëzore.

Në 300-vjetorin e lindjes së filozofit të madh gjerman, Immanuel Kant, shumë media të huaja kanë sjellë në vëmendje edhe rëndësinë e vizionit të Kantit për një federatë globale të republikave. Kant, i njohur për kontributin e tij të madh në filozofinë perëndimore, ka argumentuar se paqja e përhershme mund të arrihet vetëm nëpërmjet një federate globale të republikave.

Klan News