Prokuroria e Posaçme nuk pranoi kallëzimin e Olsi Ramës për shpifje, ndaj kreut të grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi, me argumentin se ky i fundit nuk kishte bërë asnjë kallëzim për të.

Kjo situatë u komentua jo pa ironi nga kryeministri Edi Rama. Sipas kreut të qeverisë: kallëzimi nuk është bërë, por u është shitur italianëve si sapun për djathë. Rama shton se letrat e kallëzimit inekzistent të ulëritur në parlament u janë ofruar si akte gjyqësore, italianëve të atij emisioni të turpshëm për Shqipërinë.

”Për të sulmuar Shqipërinë me duart e të huajve, ky soj shqiposh ka që në vitin 1912 që nuk le poshtërsi, sajesë, hile e gënjeshtër pa e nxjerrë jashtë kufijve të këtij vendi, po kjo historia e kallzimit të pakallzuar për t’i shpëtuar rrezikut të dënimit për kallzim të rremë është një nivel i ri pafytyrësie karshi publikut shqiptar, se palo burra që hedhin gurin e fshehin dorën ka parë plot kjo tokë, po soj burri që të ngrejë dorën sikur ka hedhur gurin, duke u hakërryer si të kishte vrarë shtatë zogj me atë gur që s’paska ekzistuar fare, nuk na kishin zënë akoma sytë”.

Premton se e vërteta do të dalë shumë shpejt.

“S’ka shans që kjo gënjeshtër me fustan të shkurtër të mbetet pa dalë cullak faqe shqiptarëve, siç po dalin shpejt e shpejt cullak faqe italianëve edhe gënjeshtrat që ky soj shqiposh pa atdhe ia dha autorëve të atij emisionit skandaloz, për të kthyer në Itali kohën e vdekur kur Shqipëria ishte vend i zi dhe shqiptarët ishin delet e zeza të Europës!  Ta harrojë kush e tenton, ajo kohë nuk kthehet më se Shqipërisë dhe shqiptarëve s’u drejtohet dot më askush si të ishin jetimë pa identitet e pa gojë.”

Në përgjigje të reagimit të Ramës, Gazment Bardhi tha se kryeministri do ta kuptojë shumë shpejt nëse ka bërë apo jo kallëzim në SPAK për vëllain e tij.

Klan News