Alban Hoxha mund të mungojë në derbin me Tiranën të premten. Portieri i Partizanit i ndaluar të shtunën pas mesnate për drejtim të mjetit në gjendje të dehur me shumë gjasë nuk do të jetë në fushë, pasi rrezikon deri në 6 muaj burg për kundravajtje penale.

Por masa ndaj tij mund të jetë më e lehtë nëse kjo është hera e parë që Hoxha kapet i dehur në timon. Vendimi për të do jepet të martën.

Drejtuesit e klubit të kuq, po mendojnë seriozisht që ta lënë jashtë kësaj ndeshjeje jo vetëm pasi është pa stërvitje, por edhe për çështje imazhi dhe mbi të gjitha thyerje të rregullores së brendshme të klubit. Së fundmi Partizani ka aplikuar gjoba për futbollistët për shkak të thyerjes së disiplinës jashtë fushës së stërvitjes dhe lojës.

Gjithsesi klubi pritet të dalë me një komunikatë zyrtare për vendimin që do të marrë. Alban Hoxha mund të shpëtojë nga ndëshkimi i klubit vetëm nëse stafi teknik e kërkon me ngulm që të jetë i pranishëm ndaj Tiranës, pasi eksperienca e tij mjafton për përballuar një ndeshje të tillë.

Tv Klan