Fushata për dorëzimin vullnetar të armëve ka vijuar këtë javë në të gjithë vendin.

Gjatë tri ditëve të fundit, janë dorëzuar në Korçë, Krujë, Fushë- Krujë, Durrës e Divjakë, 7 armë zjarri kryesisht pushkë dhe automatikë Kallashnikov.

Në stacionin e Policisë në Fushë- Krujë, janë dorëzuar dy armë zjarri, nga një banor i cili njoftoi policinë se donte të dorëzonte armën që mbante në banesë. Po kështu edhe në Krujë, janë dorëzuar dy armë. Policia ka mbledhur armë pas njoftimeve të banorëve, edhe në Korçë dhe në Mirditë, etj.

Që prej ditëve të para të Janarit të këtij viti, kur nisi amnistia për dorëzimin vullnetar të armëve të zjarrit, policia ka marrë në dorëzim rreth 70 armë që posedoheshin nga persona të ndryshëm.

Amnistia për dorëzimin vullnetar të armëve parashikohet të vijojë deri në fund të muajit prill të këtij viti. Pas këtij afati, personave që iu gjenden armë në banesë nuk do të kenë mundësi të përfitojnë nga amnistia./Tv Klan