Në Maqedoni mbetet pikpyetje nëse është agjendë e huaj apo e brendshme dalja në skenë e një numri të madh partishë, të cilat po garojnë për votën e shqiptarëve. Copëtimi i votës dhe defaktorizimit të shqiptarëve në këtë vend, analistët thonë se ka për ta përgjysmuar edhe numrin e deputetëve shqiptarë në Kuvend. Analisti Blerim Hyseni është i mendimit se nga dukja e parë, partitë e reja nuk kanë ndonjë mundësi suksesi, pasi secila prej tyre, që në fillim tregoi prirje përçarjeje edhe kur u dha gjasa për bashkëpunim mes tyre.

Blerim Hyseni – Analist:

“Nuk e di a janë agjendë e huaj, por nuk mund të jetë agjendë shqiptare për shkak se lufta për bajraktarizëm tek partitë e reja doli në pah qysh në fillim dhe nuk arritën të bashkohen për të grumbulluar shumë vota. Si rezultat i kësaj, shqiptarët do të jenë të dëmtuar politikisht dhe mendoj se kemi të bëjmë jo me një vizion të qartë të partive të vogla pasi nëse vetëm ndalemi dhe analizojmë partitë e vogla, do kisha thënë se që tani janë të vetëdijshme se sa forcë dhe vota do arrijnë në zgjedhje. Por, me apo pa vetëdije, nga kapriçot e tyre politike nuk arritën të bëhen bashkë dhe si pasojë e kësaj do dëmtohemi si faktor politik në Maqedoni.”

Ndërsa Petar Arsovski, njëri ndër ekspertët e politikës në Maqedoni, thotë se pikërisht numri i madh i partive shqiptare, do të defaktorizojë shqiptarët.

Petar Arsovski – Analist: 

“Nëse gjykohet për nga rezultatet në bllokun maqedonas, atëherë mendoj se 5 parti janë shumë pasi ndarja e votës sipas gjitha gjasave do të sjellë deri në zvoglim të numrit të përgjithshëm të deputetëve shqiptar në Kuvend, pasi parti të ndryshme shqiptare do ta humbin votën nëpër njësi të ndryshme zgjedhore.”

Arsovski pohon se edhe Maqedoninë mund ta kaplojë sindromi i Malit të Zi dhe Luginës së Preshevës, ku pikërisht numri i madh i partive vite me radhë bën që shqiptarët të mbeten në margjinat e shoqërisë së atjeshme.

Petar Arsovski – Analist: 

“Është e mundshme, edhe pse nuk mund të definohet ndonjë situatë koherente politike, prap se prap është e mundshme që të ndodhë edhe një gjë e tillë, por gjithsesi mendoj se partitë më të mëdha politike do të kalojnë mirë në këto zgjedhje.”

Mirëpo, shfaqjen në skenë të një numri të madh partish, analistët e shohin edhe si të zakontë pasi edhe më parë, parti të reja më të vogla, kanë dalë në skenë, por pa ndonjë rezultat të madh.

Tv Klan