Odhise Andrea bashkëshorti i gjyqtares, Majlinda Andrea e pezulluar nga detyra pas akuzave për korrupsion nuk ka pranuar të japë shpjegime në polici. Ai u vetëdorëzua në policinë e Tiranës mbrëmjen e të hënës.

Andrea u ka thënë oficerëve të policisë se deklarimet  e tij do t’i japë në Gjykatën e Lartë, aty ku zhvillohet dhe procesi gjyqësor ndaj tij dhe bashkëshortes.

Brenda 72 orëve Odhise Andrea duhet të dalë para togave të zeza për verifikimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, vendosur në muajin korrik.

Mësohet se prokuroria do të kërkojë lënien në fuqi të kësaj mase. Policia e ka ende të paqartë mënyrën se si ka hyrë në Odhise Andrea në vendin tonë pasi prej korrikut të vitit të kaluar ai ndodhej jashtë vendit.

Nga të dhënat e sistemit TIMS rezulton se ai ndodhet në Itali ku udhëtoi në datën 15 korrik të 2016, disa ditë para se të firmosej urdhër-arresti për të. Por ka dyshime se Andrea mund të ketë hyrë nga Kosova dhe të ketë kaluar në këmbë kufirin e gjelbër.

Por i pandehuri nuk ka pranuar të japë asnjë sqarim për mënyrën si ka kaluar kufirin. Për këtë arsye policia ka nisur edhe hetimin për veprën penale të kalimit të paligjshëm të kufirin për Andrean.

Çështja lidhet me një ryshfet 50 mijë euro që gjyqtarja Majlinda Andrea ka marrë përmes bashkëshortit të saj për një pronë në Sarandë. Në burg për këtë çështje janë Ilia Çabiri dhe sekseri Petraq Dashi, ndërsa me detyrim paraqitje shtetasja Eleni Lino./ TV KLAN